KISHA E SHEN TRIADHES NE QYTETIN E KORÇES

Fotografia e Mitropolia e Shenjtë Korçë

Kisha e Shën Trinisë, ose siç njihet në popull, kisha e Shën Triadhës, ndodhet në të dalë të qytetit, buzë rrugës Korçë – Drenovë. Në fillim të shekullit të 20, në vitin 1902, në atë vend ku ngrihej kisha e vjetër e Shën Triadhës, ishin arat e Mustafa Mborjes. Ngritja e kësaj kishe në këtë vend ka një histori të veçantë, që vjen deri në ditët tona, e cila na thotë se: Çiraku i një mullixhiu nga Drenova, sa herë kalonte me kafshë për t’u furnizar me drith në pazarin e Korçës, në vendin ku u ngrit kisha, që në atë kohë ishte lëndinë, i qëndronte kali dhe i shfaqeshin tre engjëj. Pasi kjo ngjarje u përsërit disa here, çiraku ia tregoi ustait të tij, i cili vjen në Mitropoli dhe ia tregon ngjarjen me hollësi Mitropolitit të asaj kohe Gjervasit.
Pasi u punua dhe u pastrua një pjesë e vendit, brenda në tokë u gjend një ikonë e Shën Triadhës. Kjo ngjarje bëri bujë në atë kohë në Korçë dhe të krishterët ia kërkuan Mustafa Mborjes atë copë tokë, të cilën ai nuk e kishte as të punuar. Por, siç thonë, ai nuk deshi ta jepte dhe vuri argatë ta lërojnë, mirëpo ndodhi një ngjarje tjetër e çuditshme, kur plugu filloi të lërojë, ngordhi një nga kafshët e punës. Pas kësaj ngjarje, M. Mborja ia fali komunitetit orthodhoks arën ku u gjend ikona e Shën Triadhës. Pas këtyre ngjarjeve populli i Korçës dha ndihma për ndërtimin e Kishës së Shën Triadhës.
Edhe kjo kishë, si shumë të tjera u prish dhe u rrafshua pas vitit 1967. Me përmbysjen e regjimit komunist, më 6 janar 1991 populli i Korçës, në vendin e kishës së vjetër të Shën Trinisë, kreu pas 25 vjetesh shërbesën e parë fetare, atë të Ujit të Bekuar. Kisha e re, me konstruksion parafabrikat, është ndërtuar në vitin 1995, nën kujdesin e Kryepiskopit Anastas, në të njëjtin truall. Në vitin 1996, pranë kishës u ndërtua dhe kambanorja e lartë, duke plotësuar kompleksin. Për shkak të kushteve të vështira klimatike të zonës, kisha iu nënshtrua në vitin 2000 rikonstruksionit të plotë me fonde të siguruara nga Mitropolia e Shenjtë e Korçës.

 

Fotografia e Mitropolia e Shenjtë Korçë

Fotografia e Mitropolia e Shenjtë Korçë

Fotografia e Mitropolia e Shenjtë Korçë

Author: Admin1