Kisha e re e Metamorfozës së Shpëtimtarit (Shën Sotiri, ose Kisha e Vllenjve) i shërben komunitetit arumun të qytetit të Korçës. Kisha e vjetër, e ndërtuar në vitin 1925, u shkatërrua nga tërmeti i vitit 1931. Kisha e re është ndërtuar në të dalë të qytetit, brenda hapësirës së parkut “Rinia”. Kisha i përket tipit monastik trikonkësh, me çati në formë kryqi dhe kupolë, me endonarteks dhe hajat në anën perëndimore. Kisha është pajisur me ikonostas të gdhendur në dru dhe piktura murale.