Diela e Etërve të Sinodit të 7 Ekumenik!

Të dashur vëllezër dhe motra më Krishtin. Sot Kisha jonë nderon kujtimin e shenjtë të etërve, të Sinodit të 7 Ekumenik që u mblodh në vitin 787 në Nikea të Azisë së Vogël.
Kisha gjithmonë përgjatë historisë, është përballur me furtuna të shumta. Gjatë shekujve të parë të krishterimit, Kisha u përball me probleme dhe vështirësi të mëdha. Fillimisht kaloi në një periudhë të gjatë përndjekjesh dhe persekutimesh, afro 300 vjeçare. Dhe megjithatë, Kisha qëndroi besnike e besimit të saj, ndonëse u desh dëshmia e mijra martirëve, që dhanë jetën e tyre për të mbrojtur atë që ata besonin.

Por, edhe më pas, kur përndjejkjet ishin fashitur, Kisha përsëri u përball me probleme të tjera. Njerëz të ndryshëm brenda Kishës, të ndikuar edhe nga filozofitë dhe idetë e kohës, kishin filluar të mësonin dhe predikonin mësime të gabuara dhe të dyshimta nga ana teologjike. Kjo gjë ndodh, kur cilido ka tendencën për ta interpretuar këtë mësim siç e mendon ai. Ndryshimi midis ideologjive njerëzore dhe fesë është pikërisht ky, që besimi nuk është rezultat i mençurisë njerëzore, por është zbulesë që vjen nga Perëndia. Etërit e Kishës e ruajtën të gjallë këtë besim nëpërmjet vuajtjeve, sakrificave dhe persekutimeve, aq sa kur erdhën në Sinod shumë nga ata kishin ende të freskskëta plagët e persekutimeve.
Në shekullin e 7 në Kishën e lindjes filloi të zhvillohej një rrymë, e cila iu kundërvihej ikonave dhe përdorimit liturgjik të tyre. Kështu në vitet 700 grupime politiko-fetare të Perandorisë Romake të Lindjes, ndërmorën iniciativën e heqjes së ikonave nga kishat, duke e justifikuar këtë veprim si përpjekje për të shmangur rikthimin e idhujtarisë. Frika e të krishterëve mbështetej mbi një urdhëresë të dhiatës së vjetër, e cila ndalonte bërjen dhe adhurimin e imazheve. E parë kjo në kontekstin e krishterë, ishte një realitet tjetër. Zoti mishërohet dhe bëhet njeri dhe të gjithë e panë dhe e prekën dhe u shoqëruan me atë. Kështu që pikturimi dhe ikonizmi i imazhit të Krishtit dukej krej i arsyshëm, sepse vete Ikona e pa krijuar dhe parajetëshme e Atit, d.m.th, Zoti Jisu Krisht mori trup njeriu dhe banoi ndër ne. Kështu imazhi i Fjalës Perëndi të mishëruar ishte jo vetëm i mundshëm, por edhe i dëshiruar prej të krishterëve.
Kjo situatë detyroi Kishën që të mblidhej në sinod, për të shqyrtuar dhe zgjidhur kaosin e krijuar dhe për të përcaktuar rolin e ikonave në adhurim. Ajo që etrit mbrojtës të ikonave panë si rrezikun më të madh në të gjithë këtë situatë, nuk kishte të bëntë thjesht dhe vetëm me pikturimin, apo mos pikturimin e imazheve, por me ruajtjen e të vërtetave teologjike dhe sotiriologjike të Kishës. Refuzimi i ikonave, i cili lidhej pandashmërisht me mishërimin e Krishtit dhe me bërjen e tij njeri, si ikona e pa krijuar dhe e parajetëshme e Atit, e cila u bë e njohur ndër ne nëpërmjet Fjalës së mishëruar, cënonte në thelb shpëtimin. Mbroja e ikonave kishte të bëntë me mbrojtjen e të vërtetës më të madhe teologjike të Kishës, që është mishërimi i Birit, prej nga burojnë të gjitha të vërtetat e tjera të besimit, por edhe vetë shpëtimi i gjindjes njerëzore, i cili realizohet në Birin e mishëruar. Në vetvete mohimi i ikonave lidhej direkt me mohimin e mishërimit të Krishtit dhe nëse Zoti nuk u bë njeri, kjo do të thotë se natyra njerëzore nuk u restaurua dhe se gjindja njerëzore nuk u shpëtua dhe se Jisu Krishti nuk është shpëtimtari ynë.
Kështu etrit e Kishës të mbledhur në sinod artikuluan dhe formuluan qartë atë ç’ka Kisha besonte dhe atë çka ishte ndërgjegjia e saj, e cila buron nga Tradita dhe Shkrimi i Shenjtë, si edhe nga përvoja dhe përjetimi adhurues i Kishës si trup mistik i Krishtit. Shpeshherë, këto përplasje teologjike duken si gjëra të largëta edhe pa shumë kuptim. Por dogmat qartësojnë zbulesën, sepse Krishti vepron mbi ne, me të gjithë dashurinë e tij, si realitet hyj-njerëzor i përsosur. Kështu pra, vetë Krishti është dogma e gjallë dhe shpëtimtare e Kishës.
Në kuptimin othodhoks ikona dhe prototipi, janë realitete që lidhen ngushtësisht me njëri tjetrin, aq sa njëra nënkupton dhe ekzistencën e tjetrës. Prototipi presupozon ekzistencën e ikonës dhe anasjelltas. Kur përmendet njëra bashkë-nënkuptohet edhe tjetra. Shën Grigor Palami thotë: “Ikonografia orthodhokse duke iu pergjigjur teologjisë së Kishës, aplikon mënyrat e saj teknike, që ta bëjë të ndjeshme prezencën e hirit hyjnor dhe të energjisë së pa krijuar, në ikonat e antarëve të saj të hyjnizuar dhe i përgjigjet të vërtetës së personave të saj si krijesë e re”. Eshtë e qartë se ikonografia nuk përbën vetëm një art të shenjtë, por është edhe gjuhë e teologjisë e cila shprehet me figura dhe me ngjyra dhe që është didaktike dhe po kaq lehtësisht e kuptueshme nga të gjithë. Më konkretisht, më artin e saj ikonografia shpreh personat e parqitur në ikonë, jo të zhveshur nga materia, por të shpërfytyruar dhe të hyjnizuar, duke shprehur eksperiencën e pjesëmarrjes së personave të paraqitur në hirin hyjnizues së Trinisë së Shenjtë. Duke zbritur në tokë nëpërmjet imazheve një pjesë të parajsë, dhe për ta bërë atë të prekshme nga të gjithë besimtarët, si një parashijim.
Në ikonën e Krishtit bëhet i dukshëm personi i Krishtit sipas natyrës së tij njerëzore, sikundër u bë i dukshëm historikisht me mishërimin e tij. Me paraqitjen ikonike të karakteristikave të natyrës njerëzore të Krishtit, Krishti bëhet në mënyrë të prekshme prezent, si Perëndi dhe njeri i përsosur. Kështu në ikonën e Jisu Krishtit kemi përshkrimin e natyrës së tij të dukshme njerëzore.
Dëshmia e Sinodit të 7 ekumenik është veçanërisht karakteristike përsa i përket kuptushmërisë së ikonës së Krishtit në kuadrin e Kishës Orthodhokse: “duke bërë ikonën e Zotit, rrëfejmë trupin e tij të hyjnizuar dhe ikona dëshmon kujtimin e prototipit”. Nëse ikonografizimi i imazhit të Krishtit dhe Shën Marisë, siguron dhe shpall mishërimin e Perëndisë Fjalë, paraqitja e shenjtorëve shpërfaq gjymtyrët e shenjtëruara të trupit mistik dhe hyj-njerëzor të Krishtit. Me anë të ikonave Kisha iu prezanton besimtarëve, identitetin e anëtarve të saj të lavdëruar, në prespektivë eskatologjike, në dimesionin e tyre të restauruar dhe të shenjtëruar në Krishtin, në prespektivën e Mbretërisë së Qiellit.
Hiri që karakterizon shenjtorët në ikona, në përputhje me Sinodin e 7 Ekumenik, mund të pjesëtohet dhe nga besimtarët duke i shenjtëruar ata. Kështu nderimi i ikonave nuk përbën vetëm një mënyrë për të nderuar prototipat, por njëkohësisht dhe një mënyrë për të marrë pjesë në shenjtërinë e tyre, e cila i prek besimtarët nëpërmjet hirit që mbart shenjtori i ikonizuar.
Etrit e Kishës ruajtën me forcë dhe sakrifica këto mësime, sepse lidhja midis doktrinës dhe jetës së Kishës është një binom i pandarë. Kisha njeh nga eksperienca e saj, se sa herë që shtrembërohet doktrina, shtrembërohet edhe jeta shpirtërore. Sepse ashtu një mjekim i gabuar, jo vetëm që nuk mund të japë rezultate në shërimin e pacientit, por mund ta përkeqësojë atë. Kështu edhe aplikimi i një doktrine të gabuar, nuk mund ta orjentojë jetën e besimtarit drejt shpëtimit. Dhe ne të gjithë i përngjasojmë të sëmurit, sepse të gjithë vuajmë nga një sëmundje e rëndë shpirtërore, që është mëkati. Etrit e Kishës e kishin kuptuar këtë, prandaj edhe këmbëngulën fort tek e vërteta, sepse vetëm e vërteta shpëton dhe kjo e vërtetë në Kishë është Krishti i mishëruar. Dhe etrit e Sinodit të 7 Ekumenik, që kujtojmë sot e mbrojtën me force, atë që ata besonin, sikundër Zoti e kishte zbuluar dhe sikundër Kisha e besonte, jo si teori, por si një përjetim të gjallë të udhëtimit të tyre adhurues. Besimi si formë intelektuale nuk mjafton, ai plotësohet dhe merr kuptim vetëm brenda përjetimit, kur shndërrohet në frymëmarrje dhe mënyrë jetese. Çdo orthodoks, çdo i krishterë duhet ta njohë doktrinën, duhet të njohë se çfarë beson, sepse është e vështirë ti zbatojë urdhërimet e Kishës, nëse ai nuk do e mbështetë këtë në këtë doktrina. Ky është edhe ndryshimi midis teoricienëve dhe Etërve të Kishës, ata nuk ishin thjesht filozofë, ata e praktikuan besimin e tyre në jetën e tyre, sepse mësimi i Krishtit nuk është një mësim teorik, apo ideologji, por një mënyrë jetese. Kjo është ajo që solli Krishti në fe, një doktrinë e cila duhet të jetohej. Ne i kujtojmë ata me nderim sepse mbrojtën doktrinën. Po të mos kishin qënë këta Etër të Kishës, as doktrina nuk do të ishte kjo, as Kisha Orthodhokse nuk do të ishte kjo. Jo më kot Kisha Orthodhokse e quhet edhe Kisha e Etërve, sepse ishin pikërisht këta Etër, që e transmetuan mësimin e Krishtit të pandryshuar.
Koha, në të cilën ne jetojmë, më shumë se çdo gjë tjetër, na ofron errësirë, prandaj prezenca e dritës së Krishtit është një nevojë e domosdoshme, si i vetmi monopat i ndriçuar, për të ecur të sigurt dhe me paqe. Kjo ditë na fton të gjithëve që të marrim më seriozisht shpëtimin tonë, i cili është i lidhur direkt me atë që ne besojmë. Etrit që kujtojmë sot dhanë dëshminë e tyre duke mbrojtur besimin e tyre, le të japim edhe ne dëshminë tonë për të mbrojtur Kishën dhe të vërtetat e besimit tonë në kohën që jetojmë, por që mund të japim këtë dëshmi, nevojitet që ta nohim dhe ta përjetojmë vetë atë që besojmë.
Në këtë ditë, le ti lutemi Zotit, që të na ndriçojë dhe shenjtërojë me të vërtetën e fjalës së Tij. Amin.



Author: admin