Java e Madhe


 Në Kishën Orthodhokse java e fundit e jetës së Krishtit quhet zyrtarisht Java e Pësimit. Në emërtimin popullor është quajtur Java e Madhe. Çdo ditë emërtohet në librat e shërbesave si “e madhe dhe e shenjtë”. Çdo ditë të javës ka shërbesa të veçanta, të cilat kryhen në të gjitha kishat. Jeta tokësore pushon për çdo besnik kur ata “shkojnë me Zotin në Jerusalem” (Mëngjesorja e të Hënës së Madhe).
    Çdo ditë e Javës së Madhe ka temën e veçantë të saj. Tema e së Hënës është ajo e drurit të fikut që nuk kishte fruta, por vetëm gjethe dhe për këtë u dënua me tharje. Të Martën, theksi është në vigjilencën e virgjëreshave të ditura, të cilat, jo si motrat e tyre të marra, ishin gati kur Zoti erdhi tek ato. Të Mërkurën, fokusi është në pendimin e gruas mëkatare. Në këtë ditë, theksohet shumë krahasimi ndërmjet gruas së përdalë që shpëtoi me anë të pendimit dhe Judës, që ishte një nga apostujt e zgjedhur, por që humbi nga pabesia dhe cmira. Ajo i jep Krishtit gjithë pasurinë e saj dhe i puth këmbët e tij; ai me një puthje e tradhëton Krishtin për para.
    Në këto tre ditë këndohet Ungjilli gjatë Orëve dhe në Mbrëmësoret, kur shërbehet Mesha e Dhuratave të Parashenjtëruara. Këndimet nga Dhiata e Vjetër janë prej Eksodit, Jobit dhe Profetëve. Ungjilli është kënduar gjithashtu në Shërbesat e Mëngjesit, të cilat quhen tradicionalisht shërbesat e “Dhëndërit”, sepse tema e përgjithshme e secilës ditë është fundi i botës dhe gjyqi i Krishtit. Shërbesa e Dhëndërit kryhet natën.*
    Ja tek vjen dhëndëri në mes të natës; dhe lum ai shërbëtor të cilin do e gjejë vigjilues dhe mjerë ai shërbëtor të cilin do e gjejë pa kujdes. Prandaj o shpirti im ki mendjen, se mos të rëndojë gjumi dhe jepesh në vdekje jashtë Mbretërisë; por zgjohu dhe thirr me zë të madh: I Shenjtë, i Shenjtë, i Shenjtë je Ti, o Perëndi, me lutjet e Hyjlindëses mëshirë ki për ne (Tropari i tre ditëve të para)Gjatë tre ditëve të para të Javës së Madhe, Kisha rekomandon që të këndohen të Katër Ungjijtë në Orët, deri në pikën ku fillon tregimi i pësimit të Krishtit. Meqenëse, kjo zakonisht nuk është e mundur të bëhet në kishat e enorive, atëhere duhet të bëhet një përpjekje që të paktën një nga Ungjijtë të këndohet i gjithë, para së Enjtes së Madhe, deri në pjesën ku fillon pësimi, veças ose bashkërisht._____________Të Mërkurën në mëngjes kryhet një shërbesë që përbëhet nga 1) Orët, 2) Mbrëmësorja dhe 3) Mesha e Dhuratave të Parashenjtëruara. Kjo është Mesha e fundit e Parashenjtëruar e kalendarit vjetor. Ndërsa natën, në vend të shërbesës së Dhëndërit, të merkurën kryhet Misteri i Efqelisë, si një përgatitje për marrjen e Kungatës të Enjten e Madhe, Dita e themelimit të Misterit të Kungatës së Shenjtë.

Author: admin