MESAZHI PASKAL I MITROPOLITIT TE KORÇES IMZOT JOANIT 2022!- KRISHTI ËSHTË PASHKA DHE PAQJA JONË

MESAZHI PASKAL I MITROPOLITIT TE KORÇES IMZOT JOANIT
PASHKË 2022
KRISHTI ËSHTË PASHKA DHE PAQJA JONË
I
Festa e përvitshme e Pashkës në Dhiatën e Vjetër është një festë e themeluar nga vetë Perëndia. (Nr. 9:1) Flijimi i qengjit, simbol i pastërtisë dhe pafajsisë, si një blatim paqeje, gjaku i të cilit e mbrojti Izraelin e vjetër nga shkatërrimi, ishte riti kryesor i këtij kremtimi. Ky blatim paqeje është një parafigurim i paqes sonë me Perëndinë, nëpërmjet flijimit të Qengjit të Perëndisë, Krishtit, gjaku i të cilit na çliroi nga robëria e mëkatit. Ja Qengji i Perëndisë, që ngre mëkatin e botës, thotë Shën Joan Pagëzori, kur sheh Jisuin duke ardhur tek ai (Jn. 1:29). Ungjilli i Shën Joanit e krahason Krishtin, në mënyrë të qartë, si Qengjin e Pashkës dhe na tregon se Jisui u kryqëzua në të njëjtën ditë kur qengjat e Pashkës flijoheshin në tempull (Jn. 19:31). Kështu, Qengji, paraqet Krishtin, njëkohësisht si flijim dhe si triumf – si flijim duke dhënë veten e tij në kryq dhe në vdekje dhe si triumf, duke mundur vdekjen dhe duke na dhënë një jetë të re, sepse Ai është Pashka dhe Paqja jonë e vërtetë (Efes. 2:14).
Fjalët e para që Krishti i kryqëzuar dhe i ngjallur u tha nxënësve të tij ishin: Paqe në ju (Jn. 20:19), sepse prania e Zotit të ngjallur përhap tek gjithsecili që e beson, paqe, gëzim dhe shpresë. Paqja e Pashkës është fitorja e madhe e Zotit tonë Jisu Krisht mbi urrejtjen dhe armiqësinë dhe një dhuratë e çmuar për të gjithë njerëzimin. Sipas Shkrimit të Shenjtë dhe mësimit të Etërve të Kishës, paqja është dimensioni i vërtetë i ekzistencës njerëzore dhe thelbi i pajtimit me Perëndinë dhe me njëri tjetrin. Grindjet, konfliktet dhe lufta janë shfaqje të mëkatit njerëzor dhe i përkasin gjendjes së njeriut të rënë dhe në to nuk ka as drejtësi, as justifikim dhe aq më pak shenjtëri.
II
Ne jetojmë në një botë ku nuk ka paqe, në një botë mizore dhe trazirash ku padrejtësitë, konfliktet dhe luftrat po shkaktojnë vuajtje, shkatërrime dhe mjerim të madh, sepse nuk ka paqe atje ku është e keqja (Is. 48:22). Është detyra e çdo të krishteri të përpiqet për paqen, sepse paqja jonë personale realizohet në paqen e të gjithëve dhe merr dimension komunitar. Krishti është paqja jonë – shkruan Shën Vasili I Madh – ai që kërkon paqen kërkon Krishtin…, pa një qëndrim paqeje ndaj të gjithë njerëzve, askush nuk mund të quhet shërbëtor i vërtetë i Krishtit. Zoti ynë i ka premtuar paqebërësve një shpërblim shumë të lartë duke thënë: Lum paqebërësit, sepse ata do të quhen bij Perëndie (Mt. 5:9).
Paqe po ju lë, paqen time po ju jap juve; jo siç e jep bota jua jap juve – na thotë Zoti (Jn. 14:27). Prandaj Etërit e kishës na mësojnë se paqja e vërtetë nuk është thjesht mungesa e luftës, por është prania e Perëndisë. Çfarë do të thotë prania e Perëndisë? Do të thotë prania e Tij reale tek ne, si edhe përjetimi i mësimit të Tij në jetën tonë të përditshme. Prania e drejtësisë, dhembshurisë dhe dashurisë, për të gjithë njerëzit pa përjashtim, janë kushti themelor për një paqe të qëndrueshme. Kjo është paqja që jep Perëndia, e cila është paqja e vërtetë dhe e përjetshme. Shën Joan Gojarti na mëson: Nëse ka paqe, do të ketë edhe dashuri; nëse ka dashuri, do të ketë edhe paqe. Ndërsa paqja që jep bota është e përkohshme dhe e paqëndrueshme, sepse ajo varet nga vullneti njerëzor, që shpesh helmohet nga egoizmi dhe lakmia, nga emocionet dhe interesat e tyre, të cilat ndryshojnë vazhdimisht.
III
Jua thashë juve këto, që të keni paqe në mua. Në botë do të keni shtrëngim; por mos kini frikë, unë e kam mundur botën (Jn. 16:33). Këto fjalë ngushëlluese dhe shpresëdhënëse të Krishtit na tregojnë se paqja e Tij është një paqe shpirtërore, që vjen nga pajtimi i njeriut me Perëndinë dhe rivendosja e marrëdhënieve të drejta dhe të vërteta me Atë. Paqja e tij është një paqe e brendshme, një paqe që na forcon për t’i bërë ballë të gjitha stuhive të jetës, që vërshojnë kundër nesh, si nga jashtë ashtu edhe nga brenda, duke na çliruar nga frika dhe duke na mbushur me dashuri dhe dashuria e përsosur e largon frikën. (Jn. 4:18).
Të dashur vëllezër dhe motra! Ungjilli i Krishtit është Ungjilli i paqes. Ai erdhi të predikonte paqen tek të gjithë njerëzit. (Ef. 2:17). Duke besuar në Perëndinë e paqes, së pari le të bëjmë paqe në zemrat tona dhe më pas ajo do të arrijë edhe tek të tjerët, sepse nuk mund të përhapim paqe nëse ne nuk e kemi atë brenda nesh. Në këtë ditë të shenjtë të Ngjalljes së Krishtit dhe të paqes që ai u jep të gjithëve, le të përpiqemi që të ndriçohemi nga drita e Tij e shenjtë, e cila është paqe – paqe me Perëndinë, paqe me veten tonë dhe paqe me të gjithë botën.
Gëzuar Pashkën dhe për shumë vjet!

Author: Admin2