Mesazhi i Kryepiskopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Krishtlindje 2013

† Anastasi

Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

   
 Klerit dhe popullit shpresëtar Orthodhoks,

  Bij të shtrenjtë më Zotin,

    “Unë erdha të kenë jetë dhe ta kenë me të tepërt” (Joani 10:10). 

    
Në epokën tonë, në deklaratat publike, mbisundon theksimi i dinjitetit të njeriut. Por ngjarja që tregon me forcë unikale vlerën e jetës njerëzore, është ajo që zotëron në të kremten e sotme: Biri i Perëndisë së gjallë, të paafrueshëm dhe të tërëfuqishëm, mori natyrën njerëzore, u bë njeri. Ky vazhdon të jetë mesazhi qendror mahnitës i Krishtlindjes. Perëndia nuk dërgoi engjëj për shpëtimin e botës, nuk mori formën e një krijese tjetër, por u bë njeri. Në këtë mënyrë theksoi qartazi vlerën e jetës së njeriut në vetvete dhe shfaqi shenjtërinë e çdo qenieje njerëzore. Por, njëkohësisht, Ungjilli zbulon se Krishti erdhi për të lartësuar natyrën njerëzore, që t’i injektojë asaj jetë me bollëk. Pra, e kremtja e sotme, në të gjitha dimensionet dhe perspektivën e saj, është mbi të gjitha e kremtja e jetës. 

    Brenda atmosferës festive të Krishtlindjes, na jepet rasti të mendojmë më thellë për vlerën esenciale të kësaj dhurate që na e ka falur Perëndia, të cilën jemi duke e shijuar dhe gjithashtu, të rrisim respektin për çdo qenie njerëzore anekënd botës. 

    1. Duke e nisur së pari nga jeta jonë, është koha të shikojmë me kujdes gjërat që i quajmë të vetëkuptueshme. P.sh. siç është detyrimi ynë për të ruajtur më së miri jetën tonë biologjike, duke shmangur shpërdorime, pasione dhe gabime që e cenojnë dhe e minojnë dhe duke u përkujdesur për të zhvilluar të gjitha potencialet tona shpirtërore. Si një qelizë e gjallë e racës njerëzore, kemi përgjegjësinë dhe detyrimin për të kultivuar të gjitha dhuratat tona, të gjithë spektrin e krijueshmërisë sonë dhe që t’i ofrojmë njerëzimit gjënë më të mirë që disponojmë. Madje, edhe në çastet më të errëta të dëshpërimit, le të sjellim ndër mend vlerën e pakapërcyeshme të jetës dhe se, në asnjë rast, nuk kemi të drejtë ta shkatërrojmë vetë me duart tona. Sprovat e shumëllojshme të jetës njerëzore, vështirësitë e shëndetit, varfëria, përndjekjet, shpifjet, shpesh çelin horizonte të reja shpirtërore dhe ekzistenciale. 

    Të përthithur nga përkujdesja për jetën tonë të përditshme, zakonisht neglizhojmë dimensionin tjetër që Krishti, Biri i Perëndisë çeli me ardhjen e Tij. Ai erdhi të na udhëheqë drejt një lulëzimi dhe frytshmërie shpirtërore, të na ofrojë “të tepërtën edhe të kësaj jete; pra, kjo është gjëja më e vyer, pjesëmarrja e përsosur e Shpirtit të Shenjtë” (Shën Kirilli i Aleksandrisë). “Me të tepërt” ka kuptimin e plotësisë cilësore që fal prania e Shpirtit jetëbërës tek ata “që mbeten në Krishtin”. 

    2. Drejtimi i dytë i meditimit krishtlindësor duhet të shikojë në forcimin e respektit ndaj jetës së bashkënjerëzve tanë. Kërcënimet e ndryshme kundër jetës, aktet vrastare, konfliktet e përgjakshme, kamxhikojnë realitetin e përditshëm. Me gjithë pretekstet e ndryshme, marrja e një jete njerëzore përbën jo vetëm krim ndaj viktimës, por në përgjithësi, është krim kundër njerëzimit. 

    Por përbuzja e jetës nuk kryhet vetëm me akte kriminale dhe dhunë të shumëllojshme. Njerëz të panumërt kërcënohen nga forma të ndryshme padrejtësie në sferën sociale dhe private. Padrejtësia i çon shumë njerëz drejt privacioneve, varfërisë dhe mjerimit. Diçka që vepron, pa u dalluar qartë, kundër jetës njerëzore, është indiferenca ndaj cilësisë së jetës së bashkënjerëzve tanë. Ky fenomen nuk dënohet nga ligji, por nuk resht së minuari jetë të panumërta njerëzore. Madje në një epokë krizash, siç është kjo e jona, indiferenca shpesh kthehet në vdekjeprurëse. Detyra imediate e të gjithëve ne, është të mbrojmë çdo jetë njerëzore me ndihmë konkrete, të shprehur në praktikë dhe solidaritet aktiv, duke mbështetur me fjalë dhe vepra, me dashuri të sinqertë, ata që ndodhen në sprova, ata që i ka plagosur varfëria, sëmundja dhe dëshpërimi.

    Njëkohësisht, detyrimi i të krishterëve të ndërgjegjshëm është edhe dëshmia se përpos jetës biologjike, ekziston edhe një jetë e një cilësie më të lartë: ajo shpirtërore që fal dhe nxit besimin, që mundëson hapjen e zemrës sonë në zonën e Shpirtit. Një jetë që lëviz vazhdimisht duke u transformuar së brendshmi me sigurinë se Krishti erdhi “… që kushdo i cili shikon Birin dhe beson në atë të ketë jetë të përjetshme…” (Joani 6:40). 

* * *

   “Unë erdha që të kenë jetë dhe ta kenë me të tepërt” (Joani 10:10). 

   Mesazhi mahnitës i Krishtlindjes është se Biri i Perëndisë së Paafrueshëm u bë njeri. Bërja njeri e Fjalës Hyjnore shpall me bujë, vëllezërit e mi, vlerën e jashtëzakonshme të jetës njerëzore. Por në të njëjtën kohë, zbulon se Krishti erdhi  të na injektojë një jetë më të lartë, “pjesëmarrjen e përsosur të Shpirtit”, që shtrihet në përjetësi. 

   Le të përkujdesemi që në këto ditë festive, të përjetojmë më thellë shenjtërinë dhe madhështinë e dhuratës së jetës që na e ka dhuruar Perëndia. Dhe për më tepër të shprehim mirënjohjen tonë me përpjekje të pandërprerë për zhvillimin e jetës shpirtërore. Në të njëjtën kohë, le të forcojmë respektin për jetën e bashkënjerëzve tanë, duke luftuar dhunën, padrejtësinë dhe indiferencën që e minojnë atë. Le ta mbështesim me solidaritetin tonë dashuror. 

    Krishtlindje të bekuara, me përpjekje të ndërgjegjshme për një shoqëri më njerëzore! Me frymëzimin e Krishtit, Viti i Ri le të jetë sa më shumë njerëzor! 

Me dashuri të tërëshpirtshme më Krishtin, 

+ Anastasi
Kryepiskop i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë

Author: admin