Nga Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe i gjithë Shqipërisë, Prof. Dr. Anastasi, Anëtar Nderi i Akademisë së Athinës
Përgjigje nr. 2 drejtuar historianit Kristo Frashëri, botuar në Gazeta Shqiptare 21-22.10.2013.
Pjesa e Parë
1. Prof. Dr. Frashëri në shkrimin e tij të fundit (Gazeta Shqiptare, 22-23/9/2013), nisi përsëri me pasaktësitë e tij. Flet “për artikujt kritikë që u botuan gjatë tri viteve të fundit.” Nuk bëhet fjalë aspak për “artikuj kritikë”, por për disa pamflete të pamenduara mirë. Tre të parët e panë dritën e botimit në vjeshtën e vitit 2010 dhe dy të tjerët dolën më së fundi. Zoti Frashëri nuk i numëron saktë. Kurrë nuk kisha dhënë shkak dhe as nuk kisha thënë asnjë fjalë kundër z. Frashëri. Përkundrazi, kisha treguar gjithmonë vlerësim. Papritur, më 14 shtator 2010, tetëmbëdhjetë vjet pas marrjes përsipër të përgjegjësisë së Kryepiskopit, doli me një akuzë shpifëse publike. Vijuan, te Gazeta Shqiptare, dhe dy pamflete të tjera (9-10/10/2010 dhe më 16-17/11/2010), në të cilat bëri shpifje të tjera me një agresivitet të çuditshëm. Përgjigjet e mia u botuan në të njëjtën gazetë, më 26/9 dhe 31/10 2010 dhe e fundit më 5/12/2010. Pas sulmit të tij të fundit shpifës, i parashtrova të dhëna konkrete që zbulonin keqinterpretimet dhe gabimet e tij serioze historike. Përmbledhtazi, po rikujtoj tre prej tyre, që tregojnë nivelin e “artikujve të tij kritikë”:
(a) “Z. Frashëri i ka siguruar për 14 herë lexuesit, se statuti i vitit 1929 është miratuar dhe është ratifikuar nga Tomosi Patriarkal me të cilin, më 12 prill 1937, Kishës Orthodhokse të Shqipërisë iu dha Autoqefalia. Meqë teksti në fjalë ka rëndësi themeltare, po e shtojmë në materialet shoqëruese të këtij artikulli, të plotë, si dhe fotokopjen e origjinalit (shih Gazeta Shqiptare, 5/12/2010). Siç mund ta konstatojë edhe lexuesi më i thjeshtë, në këtë dokument, në asnjë pikë të tijën nuk përmendet statuti i vitit 1929”. (b) “Ngutet të sigurojë për znj. Antoniadhu “…dyshoj se nuk është greke, por shqiptare – nga familja e njohur shqiptare himarjote Andoni dhe që si grekomane ka ndërruar dhe mbiemrin, …së bashku me mbiemrin ka ndërruar edhe ndërgjegjen”. Por ajo është një gazetare e shquar e një prej gazetave më të njohura të Athinës dhe sa e njohin, qeshin me këtë gjetje historike, ngaqë dihet se familja e saj e ka prejardhjen nga Ponti i Azisë së Vogël.” (c) “Por aty ku ai kalon çdo lloj caku të seriozitetit historik është kur del në përfundimin se “Krishti dha porosi tek apostuj të krijojnë Kisha kombëtare dhe ky parim u shkel nga Patriarkana Ekumenike”. Çdo i krishterë i arsimuar mund të kuptojë nivelin e dijeve dhe vlefshmërinë e atyre që thotë historiani në lidhje me theologjinë dhe Kishën”.
Pas zbulimit të nivelit të argumenteve të z. Frashëri, ai heshti për tre vjet me radhë. Papritur, duke përdorur si pikënisje ngjarjet e hidhura të Përmetit, nisi përsëri (26/8/2013) me sulme dhe akuza të reja.
Në çdo rast me shkrimin e pamfleteve të tij përpiqet të krijojë një teatër absurd. Merr përsipër për veten rolin e akuzuesit, të hetuesit, të prokurorit, të gjykatësit dhe disa herë edhe të shefit të policisë private, për të dëbuar Kryepiskopin. Dhe na i cakton këtij të fundit rolin e fajtorit që shfajësohet. Por, përgjigjet e mia nuk janë “apologji”, siç i pagëzon ai, por tekste sqaruese që hedhin poshtë akuza dhe pikëpamje të pabaza. Si shkencëtar i përgjegjshëm dhe udhëheqës kishtar, jam i detyruar me guxim dhe argumente të hedh poshtë shpifjet e padrejta që kanë si qëllim të tyrin, të helmojnë opinionin publik.
2. Por le të vijmë te pamfleti i tij i pestë (me të cilin i përgjigjet kritikës sonë, që u botua më 22-23.9.2013). (E vonova këtë përgjigje për shkak të një sërë udhëtimesh të mia jashtë vendit).
a) Në lidhje me ngjarjet e Përmetit mbështet mendimin se në filmimet e ngjarjes “nuk shihet asnjë goditje “e pamëshirshme” të asnjë prifti nga policia… Ato janë shpifje monstruoze të pakonceptueshme, kur dalin nga pena e një prelati, i cili kudo ku shkon prezantohet me titullin “Doktor, Profesor dhe Anëtar Nderi i Akademisë së Athinës”. Videoja është në dispozicion të cilitdo që dëshiron ta shikojë (http://www.orthodoxalbania.org/al/index.php/shq/lajme/1425-proteste-e-klerikeve-te-mitropolise-se-shenjte-te-gjirokastres) dhe po sjellim disa prej këtyre pamjeve me foto. Kjo video u transmetua në mbarë botën dhe shkaktoi një protestë ndërkombëtare. Ndërsa z. Frashëri pohon se “nuk shihet asnjë goditje “të pamëshirshme” nga policia”. Dhunën kundër priftërinjve shqiptarë e kanë parë shumë dëshmitarë okularë. Si një prej shembujve të shumtë, po sjell denoncimin e klerikut shqiptar Ilia Tyto (52 vjeç), i cili denoncoi në prokurori, më 16 gusht 2013, se anëtarët e policisë private “filluan të më godasin me grushte dhe shkelma dhe nga këto goditje kam ngelur i dëmtuar në buzë si edhe kam dëmtime të qafës, si dhe në pjesën e kryqes së majtë, si dhe në kyçin e këmbës së djathtë dhe me forcë më kanë tërhequr zvarrë nga kisha për në trotuar… Qëndrova disa minuta i rrethuar nga ata derisa erdhi Papa Thanas Qerimi, i cili më ka marrë menjëherë me vete dhe jemi drejtuar për në polici për të bërë këtë kallëzim penal” (Republika e Shqipërisë, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Përmet. Proces-verbali për kallëzimin e veprës penale, 16/8/2013) (shih dokumenti 1 dhe 2). Në 19/8/2013, atë e vizitoi mjeku ligjor, Frederik Kekezi, i cili konstatoi “kontuzion i trupit (ekimozë, enjtje), dëmtimet e mësipërme janë shkaktuar nga një mjet mbretës” (Akt-ekspertimi mjeko-ligjor nr.310, Shërbimi i Mjekësisë Ligjore, Gjirokastër).
Z. Frashëri ngul këmbë se këto dhe flakja e Ungjillit “janë shpifje monstruoze…”, “…kuptohet se në këtë mes Zyra e Përmbarimit nuk kreu ndonjë sakrilegj”. Gjithashtu, ka dëshmi të pakundërshtueshme dhe foto, që tregojnë qartë se ungjijtë, ikonat dhe enët e shenjta u flakën në makinën e plehrave të Bashkisë (shih dok. 3). Kështu përkufizimi “shpifje monstruoze” në këtë rast kthehet kundër vetë këtij personi, i cili vetëquhet mbrojtësi i sakrilegjit.
Përsa i takon titujve të mi shkencorë (të një rëndësie ndërkombëtare), sipas taktikës së apostull Pavlit, i cili u kujtonte përndjekësve të tij se “jam qytetar romak”, edhe unë i përdor kryesisht kur na duhet t’u përgjigjemi disa artikullshkruesve, të cilët, për t’i dhënë autoritet pamfleteve të tyre antishkencore, në krye të shkrimeve të tyre vendosin siglën “Prof. dr. historian, akademik”.
b) Për sa i takon datës së saktë të ngritjes së ndërtesës së parë të kishës janë bërë studime të ndryshme. Një të dhënë të rëndësishme, se sa e vjetër është kisha e së Tërëshenjtës në Përmet, na e jep studiuesi përmetar Stilian Adhami, në veprën e tij “Përmeti dhe përmetarët në udhën e historisë (Nga lashtësia deri në vitin 1939)”, (Botimet Ada, Tiranë 2001, fq. 168), kur thotë se “duhet të jetë kisha më e vjetër e qytetit”. Dy kishat e tjera të qytetit ajo e Shën Nikollës dhe Shën e Premtes, u ndërtuan në vitin 1747 dhe në vitin 1776. Pikëpamjen se kjo kishë ka ekzistuar që në shekullin e 17-të e ka formuluar edhe dr. K. Jakumis me bazë traditat lokale. Siç vihet re, në shumë raste ka disa rindërtime në ambientet fillestare të një kishe. Në një studim të veçantë, për mbishkrimet e kishave të kësaj zone, thuhet se “në kishën e Hyrjes në Tempull të Hyjlindëses, është një pllakë guri mbi të cilën shkruhet përsipër: “Lutje e shërbëtorit të Perëndisë Janaq Prevezani 1814… në të gjitha ikonat përmendet kronologjia 1815-1816”. (Pan. I. Pulica. “Mbishkrime dhe kujtime...” Përvjetori i Shoqërisë së Studimeve Bizantine, Athinë 1928, fq. 89). Kodiku i Mitropolisë së Korçës na siguron se “kisha e së Tërëshenjtës në Pazar u ndërtua në mes të rrëmujave të ndryshme nga epitropi Zosi Loli, i cili e mbaroi ndërtesën brenda natës dhe u zgjerua në kohën e të gjithmonëkujtueshmit episkop të Korçës, Meletit” (Meleti i Korçës ishte episkop nga viti 1816 deri në vitin 1827). (Kodiku i Korçës dhe i Selasforit, Petraq Pepo, “Materiale Dokumentare për Shqipërinë Juglindore”. Tiranë 1981). Nëse nuk tregojnë gjë tjetër, këto fakte dëshmojnë se kisha nuk u ndërtua në vitin 1930, siç dëshiron historiani Frashëri. Por edhe dëshmia e S. Adhamit është shumë e qartë, kur thotë se kisha duhet të jetë para vitit 1747, “pasi është më e vjetra”, akoma edhe më e vjetër se ajo e Shën Nikollës, e ndërtuar në këtë datë. E vërteta është se me gjithë dëmtimet serioze në kohë të ndryshme, kisha rindërtohej dhe ishte në funksionim.
Por ajo që ka rëndësi në rastin në fjalë dhe dëshmohet prej shumë provash është fakti (shih fotografinë e Pirro Naçe, të vitit 1956, botuar në shkrimin e mëparshëm), se në vendin në fjalë, ka ekzistuar një kishë që u shkatërrua gjatë persekutimit ateist. Sipas z. Frashëri “gjurmët e kishës janë zhdukur”. E vërteta është se nuk u shkatërrua krejtësisht, siç e dëshmon nga njëra anë ekspozeja e arkitektes, znj. Vasilika Cicko (të cilës në vitin 1960-61 i ishte dhënë detyra e projektimit për transformimin e kishës së Shën Marisë së Pazarit në shtëpi Kulture), në një relacion të saj (24.2.2004), të cilin e përmendëm në përgjigjen tonë të fundit, ku thuhet: “Rruajtjen në maksimumin e mundshëm të konstruksionit të ndërtesës ekzistuese, për të ulur koston e ndërtimit”. Nga ana tjetër, këtë e vërtetojnë dhe muret e trashë, që vazhdojnë të ekzistojnë ende në ndërtesën në fjalë, bashkë me dritaret e mbuluara me një sërë tullash.
Z. Frashëri ngul këmbë se nuk dëshirojmë ekzistencën e qendrës kulturore në Përmet, se gjoja kemi synim greqizimin e qytetit! Këto janë dyshime fare të pabaza! E përsërisim: (1) Gjatë gjithë këtyre viteve në kishën e së Tërëshenjtës së Përmetit meshohet në shqip, nga priftërinj shqiptarë. (2) Ne e kemi theksuar, në mënyrë të përsëritur, nevojën si të funksionimit të kishës ashtu edhe të Qendrës Kulturore. (3) Mbi të gjitha, duam të nënvizojmë faktin për të cilin z. Frashëri hesht: Prej vitit 2010 ekziston një qendër e re kulturore në Përmet (shih dok. 4). Pikërisht përballë kishës, rreth 30 m larg, ekziston një Qendër Kulturore Multifunksionale moderne. Ka kaq shumë nevojë bashkia e vogël e Përmetit për një Qendër Kulturore të dytë… aq sa të kryente veprimet e sakrilegjit që e njollosën vendin tonë ndërkombëtarisht? Cila bashki tjetër në vend ka dy qendra kulturore?! Qëllimet në këtë rast janë krejtësisht të një natyre tjetër dhe nuk bëhet fjalë aspak për kulturën. Për më tepër, planet e kësaj qendre iu paraqitën bashkisë nga një bashkëpunëtor i yni. (4) Mbështet tezën se ngulim këmbë në kthimin e kishës së vjetër, duke pasur në të vërtetë si qëllim të fshehtë, helenizimin e qytetit. Por le të supozojmë se në vend të kthimit, siç propozon z. profesor, aty pranë do të ndërtohet një kishë e re, a do të largohet rreziku që fantazon?
Në një pikë tjetër shkruan: “….hirësia thotë se ngjarjet e Përmetit i ka mësuar më vonë. Edhe këtu gënjen. Shihni apologjinë e tij të dytë, të cilën e ka botuar në “Gazetën Shqiptare”, më 3 dhjetor 2010, ku e mbron me këmbëngulje çështjen e kishës së Përmetit”. Por ngjarjet e sakrilegjit të Përmetit, pra ato që ndodhën më 16 gusht 2013, ishte e pamundur t’i dija më 2010. Pa dashur, z. Frashëri na vesh aftësi profetike. Në përgjigjen time të fundit (9.9.2013), shkruaja: “e siguroj se i mësova ngjarjet më pas (e sigurisht që me këtë, nënkuptoja ngjarjen e sakrilegjit). Klerikët dhe besimtarët orthodhoksë nuk kanë nevojë për urdhra për të mbrojtur të shenjtat dhe të hirshmet”. Kushdo që ka ndjekur këshillën e tij, ka parë se më 3/12/2010 nuk ka ekzistuar asnjë përgjigje e imja në Gazeta Shqiptare. Përgjigjja e tretë u botua më 5/12/2010, por prapëseprapë edhe në këtë rast, nuk ekziston asnjë referim për Përmetin. Sigurisht që kam pasur njohuri prej vitesh në lidhje me çështjen pezull që ekzistonte në Përmet në lidhje me kishën e së Tërëshenjtës Mari.
c) Duke pasur të gjithë respektin e duhur për drejtësinë, është e njohur se vendimet e gjykatave nuk përbëjnë kritere të së vërtetës në lidhje me çështjet arkeologjike dhe historike. Shumë herë, të dhëna të fabrikuara dhe dëshmitarë të rremë sjellin vendime të gabuara e të pabazuara në të vërtetën. Në lidhje me peripecitë gjyqësore për çështjen e kishës në Përmet, njoftojmë opinionin publik se nga viti 1994 deri në vitin 2003, pati një seri gjyqesh, ku Kishës iu njoh e drejta e saj. Sa i takon vendimit më të fundit, në përsëritjen e gjyqeve, që solli në vendimin e njohur, në këtë rast pala ankimuese nuk ishte Bashkia e Përmetit, që e kishte me ligj këtë të drejtë si person juridik, por drejtoria e Qendrës Kulturore (që ishte një sektor i Bashkisë pa pasur qenie juridike). Gjithashtu, ekspertët nuk u caktuan prej gjykatës, por u imponuan. Relatori i çështjes nuk u caktua me short midis gjyqtarëve, por u emërua nominalisht, si dhe u bënë shkelje të tjera.
“Grupi Shqiptar i të Drejtave të Njeriut” në një deklaratë të tijën thekson se “është në dijeni të plotë të të gjithë situatës, që ka përfunduar me një vendim gjyqësor të diskutueshëm në favor të palës të Bashkisë… Ky akt nuk është vetëm një ekzekutim rutinë i një vendimi gjyqësor, por dëshmon haptazi një procedurë tipike nën frymën e urrejtjes fetare për këtë komunitet” (Tiranë, 18.8.2013, Deklaratë për Shtyp: “Dhunimi i institucionit të Kishës së Shën Mërisë në Përmet është një precedent i rrezikshëm i urrejtjes fetare”). Gjithashtu, është e njohur se Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut (shihGazeta Shqiptare, 14/9/2013 dhe gazeta të tjera), ka pranuar për gjykim 561 apelime të qytetarëve shqiptarë, 80% e të cilave kanë të bëjnë me kthimin e pronave, që shteti u kishte konfiskuar. Dhe ambasadori amerikan në Tiranë A. Arvizu komenton se “problemi në Shqipëri është serioz. Sipas Transparency International, një organizatë shumë serioze,… mbi 80% e shqiptarëve e shikon sistemin e tyre gjyqësor si të korruptuar ose tej mase të korruptuar”.
Një tjetër provë e ngurrimit të organeve të tjera shtetërore në lidhje me drejtësinë e vendimit, është fakti se për nëntë vjet rresht, ky vendim nuk u zbatua. Në diskutime me zyrtarë kompetentë na ishte dhënë premtimi, se kjo çështje do të zgjidhej në mënyrë politike. Dhe ne, dua të përsëris këtë fakt, (1) shprehëm gatishmërinë tonë për të kontribuuar në ndërtimin e një qendre moderne kulturore. Në një deklaratë të Këshillit Bashkiak të qytetit të Përmetit, më 23.12.2005, theksohet se “është për t’u përshëndetur iniciativa dhe gatishmëria e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe e Kryepiskopit Anastas për të kontribuar në zgjidhjen e këtij problemi, duke përshtatur në qendër kulturore një objekt që do të plotësojë kriteret e caktuara”. Ky këshill autorizoi kryetarin e Bashkisë së Përmetit, z. Petrit Bregasi, për të nisur sa më shpejt bisedimet dhe të marrë përsipër kryerjen e akteve të nevojshme për hartimin e një marrëveshjeje me terma të qartë për zgjidhjen e problemit. (2) Në Marrëveshjen midis Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave, që u bë ligj i shtetit (nr. 10059/, 22.1.2009), parashikohet rregullimi politik i kësaj çështjeje. Në fund fare, në periudhën tranzitore të ndërrimit të qeverive, u nevojit dërgimi i një policie private sigurimi.
d) Z. Frashëri del në përfundimin se “hirësia e tij arrin në kulmin e sajesës kur pohon se trualli që mbulonte Kisha e Shën Marisë së Pazarit së bashku me oborrin e saj kapte një sipërfaqe prej 6186 m2. Është e para herë që dëgjojmë se kisha e shën Marisë së Pazarit kishte në pronësi të saj 6000 e më tepër m2. Ne nuk gjejmë fjalë se si ta cilësojmë këtë pohim kaq të rremë”. Është e shumëfishta herë, që z. Frashëri na akuzon për gjoja gënjeshtra. Por faktet e papërgënjeshtrueshme që parashtrojmë gjithmonë, dëshmojnë se kush e përdor gënjeshtrën. Po botojmë vendimin zyrtar të Gjykatës së Rrethit Gjirokastër, nr. 618/nr. akt vendimi 461(shih dok. 5). Në këtë vendim bëhet fjalë qartësisht se trualli i kishës së Përmetit me sipërfaqe totale 6186 m2, iu kthye asaj si truall, por me sipërfaqe 4572 m2, duke i hequr pjesën tjetër, për shkak se në të ishte ndërtuar trotuar dhe lulishte publike.
Është e habitshme se si z. Frashëri përpiqet të mbrojë ata që kryen sakrilegjin. Por megjithëkëtë ngjarjet e sakrilegjit kanë habitur Organizmat Evropianë fetarë dhe politikë. Me një forcë të madhe Asambleja Politike e Partive Popullore Evropiane, në një rezolutë të sajën nga Brukseli (5.9.2013) thekson: “Dënojmë qartësisht veprimin ekstremist kundër Kishës Orthodhokse të Përmetit, në Shqipëri, ndaj priftërinjve të saj dhe të elementëve pasurorë, një akt sulmi ekstremist kundër krishterimit në truallin e Evropës”.
3. Z. Frashëri përpiqet të shkasë nga tema kryesore e debatit dhe të devijojë në çështje të tjera, që kanë pak ose aspak lidhje. Nëse do t’u përgjigjeshim të gjithave, do ta lodhnim tej mase lexuesin. Por, megjithatë, disa pika kanë nevojë për sqarim të shkurtër. Sa i takon nivelit të pamfleteve të tij është e qartë se ato përbëhen nga shumë fjalë fyese të një niveli fare të ulët.
a) Ai rreket të krijojë dyshime për kontributin tonë fetar dhe social, me bazë sjelljen e disa shteteve në të shkuarën, si Italia dhe Jugosllavia, por kjo logjikë është diçka krejtësisht arbitrare. Vetëm ai që beson në Perëndinë dhe e do popullin me të vërtetë, qëndron me atë, duke bashkëvuajtur për 22 vjet, duke punuar me vetësakrifikim për lehtësimin e atyre që kanë nevojë dhe për lartësimin shpirtëror të shoqërisë, duke ndërtuar kisha, klinika, shkolla etj., që mbështesin qytetërimin.
b) Në një vend tjetër mbështet tezën se mendojmë, që vetëm klerikët mund të japin mendime për çështje theologjike, të së drejtës kanonike dhe të historisë kishtare. Është më se e qartë se ne nuk mbështesim diçka të tillë. Në Kishën Orthodhokse, por edhe jashtë saj ekzistojnë theologë të shquar specialistë në çështje kishtare, të cilët janë laikë. Por ajo që theksojmë, është se njerëz të paarsimuar nga ana theologjike, që nuk kanë kryer studimet përkatëse, nuk mund të dalin në përfundime me njohuritë e tyre fragmentare dhe të pasakta se çfarë është kanonike dhe se çfarë duhet të ndodhë në Kishën Orthodhokse.
c) Në një pikë tjetër shkruan: “Përse ai vetë nuk e ka marrë nismën që të trajtojë si akademik që është, qoftë edhe për probleme të veçuara të historisë së ortodoksisë shqiptare?”. E vemë në dijeni se kemi botuar shumë studime në shqip, anglisht, greqisht, frëngjisht, rusisht etj. Dhe i rikujtojmë se në vitin 2000, në Simpoziumin shkencor që u organizua, “2000 vjet art dhe kulturë kishtare në Shqipëri”, në komisionin organizator merrte pjesë edhe vetë z. Frashëri. Referatet e këtij Simpoziumi u botuan si në shqip, ashtu edhe në anglisht, më 2003 (shih dok. 6).
d) Në artikuj të tjerë të tij, z. Frashëri na akuzon me këmbëngulje se jemi “nacionalistë”. Në të fundit, konstanton se e vemë fenë përmbi kombin. Pata rastin të rishikoja së fundmi librin “The history of Albania from its origins to the present day”,të S. Pollo dhe A. Puto, në bashkëpunim me K. Frashëri dhe S. Anamali, që u botua në anglisht (Routlege & Kegan Paul, London, Boston and Henley,1981. Në kapitullin e fundit, nr.12, “Albania Today”, përshkruhen planet për Shqipërinë e re, “New revolutionary developments”, brenda të cilave theksohet “lufta kundër ideologjisë fetare” dhe përshkruhet programi i ashpër i partisë së Hoxhës. Libri u botua në pikën më kulmore të regjimit ateist, më 1981 dhe zbulon fare qartë predispozitat dhe synimet e kësaj përpjekjeje sistematike ateiste që do të vazhdojë për shumë vite: “beteja…. duhet të jetë e gjatë, komplekse dhe e palodhur”. Z. Frashëri, besnik ndaj ëndrrës së tij rinore për të shkatërruar besimin fetar, duket se i ka mbetur besnik këtij qëllimi të kahershëm. Por, ama nuk ka asnjë shans dhe të drejtë që të transformohet në mbrojtës dhe udhëheqës të Orthodhoksisë.
e) Në lidhje me çështjen e fesë dhe të kombit, që e hap duke përdorur fjalë të përgjithshme, në këtë rast dëshirojmë të themi se bëhet fjalë për dy gjëra të ndryshme. Është sikur të thotë dikush: “preferoj bukën në vend të ujit”. Ne besojmë se njeriu ka nevojë për të dyja. Kërkimi i Transhendentes, i së Hirshmes, ka qenë një frymëzim i rëndësishëm nga agimi i historisë së njerëzimit dhe deri më sot. Ka influencuar në mënyra të shumëllojta në mbarë kombet. Feja përbën një fenomen shumëdinamik që lidhet me Realitetin e Epërm, kuptimin e ekzistencës njerëzore, të jetës dhe të vdekjes. Përjetimi fetar është i lindur brenda njeriut. Ashtu si uji që ekziston në organizma të ndryshëm me forma të ndryshme, kështu edhe feja është e pranishme në të gjitha qytetërimet e botës dhe mbështet moralin, drejtësinë, reciprocitetin midis njerëzve, krijueshmërinë shpirtërore dhe artistike.
Sigurisht, këtu ekziston një dallim themelor dhe kundërshti esenciale me z. Frashëri. Ne besojmë në rëndësinë dhe në kontributin e jashtëzakonshëm të Fesë, ia kemi përkushtuar jetën tonë studimit të saj, le të më lejohet të përsëris, se: Kemi dhënë “Historinë e feve” në Universitetin e Athinës për 20 vjet, studiuam shprehjet e ndryshme të fesë në mbarë botën (duke bërë shumë udhëtime fetarologjike hulumtuese), morëm pjesë në pozita të larta qendrore nëpër organizmat ndërkombëtarë fetarë, kemi botuar studime për këtë gjë (shih në shqip, Gjurmë nga kërkimi i Transhendentes, Përmbledhje Hulumtimesh Fetarologjike, Tiranë 2010). Duke u bazuar në këtë besim, punojmë për zhvillimin e jetës fetare, pas persekutimit të frikshëm që u bë kundër saj në Shqipëri. Me sa duket, z. Frashëri i ka ngelur besnik teorive të vjetra materialiste, që i ka mbështetur për dhjetëvjeçarë dhe vendimeve të nomenklaturës ateiste për të luftuar deri në fund ideologjinë fetare dhe për ta zhdukur atë nga Shqipëria. Respektojmë zgjedhjet e tij teorike e në përgjithësi pikëpamjet e atyre që nuk besojnë. Besojmë në lirinë e ndërgjegjes. Por, sigurisht, nuk pranojmë leksione të së Drejtës Kanonike dhe të Deontologjisë kishtare nga persona që nuk kanë kurrfarë lidhje me këtë fushë. Dhe për më tepër, e dimë mjaft mirë se kur shfuqizohet feja, kombet nuk shkojnë drejt progresit, por në prapambetje dhe dekadencë, siç ndodhi me Shqipërinë e shekullit të 20-të.
Pjesa e Dytë
4. a) Z. Frashëri në pesë shkrimet e tij, ripërtyp vazhdimisht keqinformimin e tij shpifës rreth antikanonicitetit të kryepiskopit, që përbën bërthamën e pohimeve të tij. Në pamfletin e tij të pestë, më quan madje në mënyrë fyese “uzurpator” të fronit arkiepiskopal. Ai më pyet me mllef: “Ku është ai akti kanonik me vulën e artë që të vërtetojë se ai u zgjodh si Kryepiskop nga një Sinod i Shenjtë i Kishës shqiptare? Përse ai nuk e respektoi Kushtetutën e shtetit shqiptar, e cila ka si kusht të detyrueshëm që Kryepiskopi i KOASH quhet Kryepiskop legjitim kur emërimin e tij e miraton me dekret kryetari i shtetit shqiptar, miratim i cili deri më sot e kësaj dite nuk është dhënë me dekret?”. Përgjigjja është e thjeshtë: Së pari kur mora përsipër përgjegjësinë e ringritjes nga themelet të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nuk ekzistonte asnjë Sinod i Shenjtë i Shqipërisë. Të gjitha ishin shpërbërë me iniciativën e grupimit ateist në të cilin bënte pjesë edhe z. Frashëri. Së dyti, nuk kërkohet krisovulë për zgjedhjen e kryepiskopit. Dokumentet zyrtare të zgjedhjes ruhen në kodikët e Patriarkanës Ekumenike (shih dok. 7). Në Shqipëri u dërgua një letër Patriarkale dhe Sinodike për klerin dhe popullin e Shqipërisë (shih dok. 8, korrik 1992, e cila jepet në origjinal dhe e përkthyer). U botua për herë të parë, e përkthyer në Gazetën “Ngjallja” 1992) Një letër e ngjashme është dërguar nga Patriarkana Ekumenike, më 12 qershor 1937, pas shpalljes së Autoqefalisë. Së treti, Kushtetuta në fuqi e Shqipërisë, e vitit 1998, nuk përmban asnjë “kusht të detyrueshëm” të njohjes së kryepiskopit me dekret presidencial. Pra, kur z. Frashëri nuk ka njohuri për një tekst të qartë, siç është Kushtetuta e vendit të tij, çdokush e kupton se sa mosnjohje, akoma edhe më të madhe, ka për të Drejtën Kanonike të Kishës, që është diçka më komplekse dhe që është krijuar në vende të ndryshme, në vazhdën e shumë shekujve.
Z. Frashëri me stil populist shtrembëron të vërtetën dhe një herë tjetër duke shkruar: “Ju lutem, miq të dashur, shikoni përsëri hilenë e kryepiskopit. Ndërsa më parë thoshte se kryepeshkop e zgjodhi Asambleja kishtare në Tiranë më 2 gusht, tani na del se e paska emëruar kryepeshkop patriku i Stambollit më 24 qershor 1992…”. Kurrë nuk kam shkruar diçka të tillë. Shkrimet e mia i disponon çdokush (shih datat e përmendura më lart tek Gazeta Shqiptare). Z. Frashëri, duke mos njohur terminologjinë kishtare, ngatërron procedurat e zgjedhjes me të fronëzimit, “Asamblenë” kishtare me Shërbesën adhuruese, dhe “emërimin” me zgjedhjen zyrtare nga Patriarkana Ekumenike (shih dok. 7).
b) Nëse kjo çështje do të kishte lidhje vetëm me mua, nuk do të kisha dhënë përgjigje. Por këto shpifje fyese, që i përsërit me aq shumë inat, cenojnë Patriarkanën Ekumenike, Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, theologët orthodhoksë dhe në përgjithësi, autoritetin e mbarë Orthodhoksisë në botë. Për të pasur provat e plota të tezave tona, jam i detyruar të parashtroj për herë të fundit faktet, disi në mënyrë më të zgjeruar, duke i shoqëruar me disa dokumente të një rëndësie themeltare, për hir të lexuesve objektivë të gazetës. Shumë nga këto i kemi trajtuar tashmë në përgjigjet tona (shihGazeta Shqiptare 31.10.2010 dhe 5.12.2010), por z. Frashëri i anashkalon dhe ripërtyp në mënyrë fragmentare versionet e tij të pabazuara, duke u përpjekur të shkruajë historinë e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë me mënyrën e vet.
Kur pranova përgjegjësinë e ringritjes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, krejtësisht të shpërbërë, isha tashmë mitropolit, profesor i historisë së feve në Universitetin e Athinës (me studime pasuniversitare në Fetarologji në Hamburg dhe Marburg të Gjermanisë). Njëkohësisht, isha zgjedhur në poste të rëndësishme të organizmave mbarëbotërorë fetarë. Si ekzark patriarkal udhëtova për një vit pothuajse në mbarë Shqipërinë dhe konstatova shpërbërjen e plotë të Kishës Orthodhokse. Sigurisht, që nuk kishte asnjë fron kryepiskopal për t’u ngjitur, por ishte vetëm një stol i thyer plot me gozhda, që kishte lënë persekutimi ateist. Si ekzark Patriarkal u përpoqa të kërkoj persona të përshtatshëm me shtetësi shqiptare, për t’u dorëzuar kryepiskop. Por, për fat të keq, kjo rezultoi se ishte e pamundur. Të gjithë dhe të gjitha faktet mëshonin në një mendje, se rimëkëmbja e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, mbështetur në kapacitetet e saj të brendshme, ishte diçka e paarritshme. Po bëhesha gati për t’u kthyer në detyrat e mia universitare, si edhe në kandidaturën time për Akademinë e Athinës, kur mijëra besimtarë, pavarësisht origjinës së tyre, më lutën të qëndroja në Shqipëri dhe të merrja përsipër veprën e ringritjes së Kishës, që vazhdonte të ndodhej në gjendje të pezullt. Për herë të parë pas persekutimit, një përfaqësi e Kishës së Shqipërisë vizitoi Patriarkanën Ekumenike (5-8.6.1992) dhe kërkoi zgjedhjen e Ekzarkut Patriarkal si primat të kësaj Kishe.
Më 24.6.1992, Sinodi i Shenjtë i Patriarkanës Ekumenike më zgjodhi me votë unanime Kryepiskop i Tiranës dhe i Gjithë Shqipërisë (Shih fotokopjen dhe përkthimin e praktikave të zgjedhjes nga Kodiku zyrtar i Patriarkanës Ekumenike, shih dok. 7). Kur Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ishte shpërbërë plotësisht për 23 vjet, autoriteti i vetëm kishtar që kishte kompetencën për të marrë iniciativën për ringritjen e saj, ishte Patriarkana Ekumenike e Konstandinopojës. Për arsye se ishte kjo Patriarkanë që i kishte dhënë Autoqefalinë në vitin 1937 dhe që nga ana tjetër ishte përgjegjëse për Kishat Orthodhokse të ndodhura në rrethana të vështira – siç kjo njihet në mënyrë të pandërprerë nga e tërë bota orthodhokse.
Gjatë periudhës tranzitore 1991-92, asnjë statut tjetër i vjetër i Kishës së Shqipërisë nuk kishte fuqi kanonike (do ta shpjegojmë në vijim). Të vetmet dokumente që ruanin fuqinë e tyre kanonike ishin Tomosi Patriarkal dhe Sinodik mbi Autoqefalinë dhe Tradita e Shenjtë e Kishës. Në bazë të këtyre, u ringrit Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë në themele kishtare të padiskutueshme dhe për këtë arsye njihet nga të gjitha Kishat Orthodhokse, nga të gjitha shkollat orthodhokse theologjike dhe në përgjithësi nga bota e krishterë.
Zgjedhja e Kryepiskopit, që u bë më 24 qershor të vitit 1992, ishte sipas akteve në fuqi të Orthodhoksisë, një fakt i kryer kishtar. Ky akt iu bë i ditur me Letra zyrtare Patriarkale të gjitha Kishave Orthodhokse Autoqefale, për të përfshirë në diptikët e tyre, pas 40 vjetësh mungese, emrin e Kishës së Shqipërisë dhe emrin e Primatit të saj, i cili po merrte përsipër ringritjen e saj nga gërmadhat. Duhet të rikujtojmë këtu, se Sinodi i parë kanonik i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë u zgjodh, në prill të vitit 1937, në Konstandinopojë, nga Patriarkana Ekumenike, pa pjesëmarrjen më të vogël të faktorëve të tjerë.
c) Fronëzimi i Kryepiskopit u krye, pas një sërë negociatash me autoritetet shqiptare kompetente, në Kishën Katedrale të Ungjillëzimit të Tiranës, më 2 gusht 1992, në prani të të gjithë klerikëve, si dhe të laikëve nga të gjitha dioqezat. Liturgjia Hyjnore, si edhe ceremonia e thjeshtë e fronëzimit u kryen sipas rregullave. Gjatë Liturgjisë Hyjnore, më 2 gusht 1992, kreu i Përfaqësisë Patriarkale, Mitropoliti i Pergjit, z. Evangjelos, lexoi letrën Patriarkale dhe Sinodike (nr. prot. 936, 16 korrik 1992), “Drejtuar Klerit dhe popullit të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë” (nr. prot. 936, 16 korrik 1992, shih dok. 8).
Në fund të Shërbesës, në Kishën Katedrale, një grup i vogël njerëzish pa lidhje me Orthodhoksinë, nën drejtimin e dy deputetëve që u përkisnin feve të tjera, u fut me forcë në kishë duke kënduar këngë patriotike dhe duke thirrur “ i padenjë”. Teoria e disa njerëzve që s’kanë njohuritë e duhura, se gjoja fronëzimi dhe zgjedhja e kryepiskopit u shfuqizuan automatikisht, meqë u dëgjuan këta zëra, nga ana e së Drejtës Kanonike është krejtësisht arbitrare dhe e pabazuar. Zëra të tillë nuk përbëjnë akt pavlefshmërie. Të tjerë ngatërrojnë aktin midis zgjedhjes dhe fronëzimit. Zgjedhja ishte kryer në Patriarkanën Ekumenike në qershor të vitit 1992, me nënshkrimin e të gjitha praktikave në lidhje me këtë akt nga anëtarët e Sinodit të Shenjtë dhe fronëzimi ishte pasoja, ishte ceremonia e marrjes përsipër të detyrave kryepiskopale.
Më pas vijoi dreka zyrtare e rastit në “Hotel Tirana International”, ku nuk u bë absolutisht asnjë akt kishtar. Për këtë ngjarje janë botuar në mënyrë të përsëritur dëshmitë e pjesëmarrësve. E tërë procedura e vendosjes dhe e pranimit të një Primati Orthodhoks bëhet zyrtare me regjistrimin e tij në Diptikët e Kishave Orthodhokse dhe me përmendjen e emrit të tij nga pjesa tjetër e Primatëve, sa herë që këta të fundit meshojnë. Kjo gjë zuri fill nga dita e zgjedhjes së tij, në qershor 1992, në mbarë botën orthodhokse. Vendosja e një Primati të Kishës Lokale bëhet përfundimtare nga ana ligjore-kanonike me Letrat Paqësore, të cilat ai ua dërgon Primatëve të Kishave të tjera Autoqefale dhe me përgjigjet respektive zyrtare që ai merr nga ata. Të gjitha këto procedura u kryen në mënyrë kanonike. Zgjedhja u përfundua me njohjen e thirrjes së Kryepiskopit të Shqipërisë si “Fortlumturi”, siç bëhet me patriarkët brenda fronit ekumenik dhe kryetarët e kishave autoqefale (nr. Prot. 1092/24 qershor 1992, shih dok. 9). Kisha Orthodhokse si tërësi dhe jo si një shoqatë ka histori dhe institucione shumëshekullore, të cilat ruhen me saktësi absolute. Gëzimin dhe kënaqësinë e tyre për zhvillimin e Kishës e shprehën edhe drejtuesit e Kryepiskopatës Shqiptare të Amerikës (atë Arthur Liolin dhe Kryepiskopi Nikon Liolin). Ky i fundit erdhi personalisht në njëzetvjetorin e zgjedhjes së Kryepiskopit dhe shprehu vlerësimin e madh për kontributin e tij të jashtëzakonshëm kishtar. Si përfundim, besimi i dhënë me tërë shpirtin dhe përkushtimi i pandërprerë i besimtarëve orthodhoksë të të gjitha krahinave të Shqipërisë për Kryepiskopin, zhvleftësoi çdo lloj përpjekjeje minuese kundër tij gjatë gjithë këtyre njëzet e një viteve.
d) Në lidhje me Statutin. Disa që nuk kanë njohuritë përkatëse dhe pa kurrfarë lidhjeje me çështjet kishtare, dalin në përfundimin se gjatë ringritjes së Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, u dhunua Statuti i vitit 1929. Kisha e Shqipërisë pati në të shkuarën dy statute: më i vjetri, ai i vitit 1929 dhe më i riu, u hartua në vitin 1950. I fundit u bë ligj i shtetit, duke e shfuqizuar statutin e mëparshëm të Kishës (me dekretin 1065, të 4 majit 1950). Por edhe ky dekret u shfuqizua me daljen e dekretit 43/37, të 11 nëntorit 1967. Disavantazhi kryesor i të dy këtyre statuteve, ishte se ata u krijuan dhe u imponuan nga regjime politike, që nuk kishin kurrfarë lidhje me Kishën Orthodhokse, më së shumti ishin armiqësorë ndaj saj dhe se sanksiononin varësi të Kishës nga pushteti shtetëror. I pari u hartua në vitin 1929, kur Shqipëria ishte monarki dhe i dyti, në vitin 1950, kur në vend ishte imponuar pushteti ateist dhe partia-shtet donte të ushtronte kontroll të plotë mbi Kishën. Të dy këta statute nuk morën parasysh parimet kishtare bazë.
Statuti i vitit 1929 nuk ishte i vlefshëm nga ana kishtare, nuk ishte në fuqi, sepse atëherë, Kishës së Shqipërisë nuk i ishte dhënë ende asnjë “autoqefali”. Për këtë arsye nuk përmendet në asnjë vend ky Statut i vitit 1929 në Tomosin Patriarkal dhe Sinodik që doli në vitin 1937 dhe që përbën gurin e themelit të padiskutueshëm të Autoqefalisë. Teksti i vitit 1929 me një sërë nenesh, vendos nën kontrollin absolut të mbretit, i cili ishte i një feje tjetër, dhe të qeverisë së tij, zgjedhjen e udhëheqjes së Kishës, por edhe vetë funksionimin si Kishë Orthodhokse. Dymbëdhjetë nene të tij përcaktuan në mënyrë të qartë varësinë e Kishës nga çdo udhëheqës politik i kohës dhe nga strukturat e pushtetit politik. Këto arsye, qartësojnë dhe theksojnë se ringritja e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, me bazë Statutin e vitit 1929, do të thoshte shkatërrim i plotë i saj, përpara se të bëhej çdo përpjekje për ringritjen e saj (diçka që sigurisht do ta dëshironin fort persekutuesit e Kishës).
Kushtetuta e re e Republikës së Shqipërisë, që u votua në vitin 1998, përcaktoi karakterin “laik” të shtetit dhe me dy nene të saj (neni 10 dhe 24) sanksionoi plotësisht lirinë fetare dhe pavarësinë e komuniteteve fetare. Pas miratimit të Kushtetutës së re nisi puna për hartimin e Projekt-statutit të Kishës sonë. E përsërisim: Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë e vitit 1998, nuk thotë absolutisht asgjë për ratifikimin e zgjedhjes së Kryepiskopit nga Presidenti i Republikës, siç z. Frashëri ngul këmbë. Përkundrazi, në nenin 10/5, thotë: “Marrëdhëniet ndërmjet shtetit dhe bashkësive fetare rregullohen mbi bazën e marrëveshjeve të lidhura ndërmjet përfaqësuesve të tyre dhe Këshillit të Ministrave. Këto marrëveshje ratifikohen në Kuvend”. Të gjitha këto u bënë sipas rregullit dhe Marrëveshja pas ratifikimit të Kuvendit, u dekretua nga Presidenti i Republikës z. Bamir Topi dhe u bë Ligj i Shtetit (nr.10057/22.1.2009, Fletorja Zyrtare nr.7, 4 shkurt 2009, fq. 138-146). Pas depozitimit të dokumenteve të parashikuara me ligj, Gjykata e Tiranës njohu edhe ligjërisht Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë si person juridik, të administruar dhe të rregulluar prej Statutit të ri. Të gjitha këto tekste zyrtare njohin si përfaqësues të ligjshëm të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, Kryepiskopin e Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastasin dhe kanë firmën e tij.
Z. Frashëri dhe sa mendojnë si ai, në mënyrë monotone dhe fragmentare ripërtypin rrëfimet e tyre. Sigurisht, nuk bëhet fjalë që të ndryshojnë, sepse pikëpamjet e tyre mbështeten në dëshirat e tyre dhe jo në saktësinë historike. Por është i mjaftueshëm fakti se shumë njerëz që kanë dijeni dhe theologë kompetentë orthodhoksë e episkopë orthodhoksë në mbarë botën, si edhe të kishave të tjera, e njohin të vërtetën dhe pranojnë vlefshmërinë e të gjithave sa kanë ndodhur. Mbi të gjitha, këtë të vërtetë e njohin qindra mijë orthodhoksë që e rrethojnë në njëzet e një vjet Kryepiskopin e tyre me përkushtimin, mirënjohjen dhe dashurinë e tyre.
5. Duke e përfunduar, le t’i rikthehemi temës së rivendikimit nga Kisha Orthodhokse e Shqipërisë të vendeve të shenjta të kultit, me shkak ngjarjet e Përmetit, që shërbyen si pikënisje për kundërvënien e fundit.
Sivjet kremtohet mbarëbotërisht 1700-vjetori i Ediktit të Milanos, që nxorën bashkëperandorët Konstandin dhe Licinius. Bëhet fjalë për një nga tekstet më të rëndësishme të historisë botërore të politikës dhe të fesë, që përcaktoi fundin e persekutimeve kundër të krishterëve në Perandorinë Romake dhe vendosi tolerancën fetare. Përbën gur themeli të së drejtës së lirisë fetare në Evropë dhe më gjerë në botën perëndimore. Por ajo që nuk është e njohur mjaftueshëm është lidhja e pazgjidhshme që bëhet në Ediktin e Milanos, midis lirisë fetare dhe kthimit të vendeve të krishtera të kultit. Theksi që i jepet këtij fakti është mbresëlënës. Konkretisht përcakton se: “… urdhërojmë veçanërisht për të krishterët përveç të tjerave edhe këtë: vendet ku më parë e kishin zakon të mblidheshin… nëse disa i kanë blerë apo u morën prej arkës sonë, apo nga ndonjë tjetër, t’u kthehen të krishterëve pa shpërblim monetar, pa asnjë kërkesë për çmimin e tyre, pasi të lihet mënjanë çdo lloj neglizhence apo vënie në pikëpyetje. Dhe nëse ka ndodhur që disa, t’i kenë marrë këto objekte si dhuratë, duhet t’ua kthejnë sa më shpejt të krishterëve… Të gjitha këto vende duhet t’u kthehen përsëri organizmit të të krishterëve… pa asnjë vonesë kohore”. Në vazhdim, Edikti urdhëron edhe kthimin e elementëve të tjerë pasurorë në Kishë, “pa asnjë lloj ngurrimi” (Euseb Pamfili, episkopi i Cezarisë së Palestinës, Historia Kishtare, libri 10-të, kapitulli 5 (PG. Vol. 20, 880-885).
Dekretet e perandorëve të Perandorisë Romake, u dërgoheshin të gjithë qeveritarëve të krahinave të perandorisë, që ishin përgjegjës për administrimin dhe qeverisjen e tyre, të cilët në këtë rast urdhërohen për zbatimin besnik të këtij urdhri.
Është i çuditshëm fakti se kjo lidhje themeltare, e lirisë fetare dhe e kthimit të menjëhershëm të vendeve të kultit, u injorua krejtësisht nga ata që ishin në pushtet në Shqipërinë demokratike, prej vitit 1991. Gjatë persekutimit të egër ateist, shteti shqiptar i mori të gjitha vendet e kultit, i shkatërroi ose i shndërroi në destinacione të tjera dhe konfiskoi të gjithë pasurinë kishtare. Shërbimet shtetërore zotërojnë të gjitha të dhënat dhe katalogët me sendet dhe objektet e konfiskuara. Por në vend që t’i kthejnë ato sipas konceptit 17-shekullor të përcaktuar qartë të lirisë fetare, përdorën marifete të ndryshme (komisione, nënkomisione, gjyqe) dhe taktika të vazhdueshme shmangiesh, që e ekspozojnë vendin ndërkombëtarisht dhe që u dënuan nga organizmat fetarë evropianë e mbarëbotërorë.
Këtu qëndron problemi kryesor: Koncepti i plotë i lirisë fetare, të cilin Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë është e detyruar ta nxjerrë në pah si në Shqipëri, ashtu edhe në organizmat fetarë ndërkombëtarë.
Ketu paraqesim te gjitha dokumetat e sipërpërmendura:
——————- dok. 1 ——————-
——————- dok. 2 ——————-
——————- dok. 3 ——————-
——————- dok. 4 ——————-
——————- dok. 5 ——————-
——————- dok. 6 ——————-
——————- dok. 7 ——————-
dok. 7 – perkthimi ne shqip | |
——————- dok. 8 ——————-
|
dok. 8 – përkthimi në shqip
——————- dok. 9 ——————-
dok. 9 – përkthimi në shqip