Të shtunën në datën 12-10-2013 në Tiranë nën udhëheqjen e Fortlumturisë së Tij Kryepiskopit Anastas u hodhën hapat e parë të krijimit të Lidhjes të Intelektualëve Orthodhoksë.
Intelektualë, shkencëtarë nga të gjitha fushat dhe nga të gjitha Mitropolitë, të organizuar, ishin prezentë në këtë eveniment të rëndësishëm. Mitropolia e Korçës gjithashtu mori pjesë me rreth 50 intelektualë, pedagogë, mjekë, inxhinierë, teologë, me pak fjal shkencëtarë nga shumë fusha por dhe disa klerikë.
Konferencën e hapi Kryepiskopi Anastas me fjalën e tij.
Ai pasi falenderoi dhe përshëndeti të gjithë sa ishin prezentë, theksoi nevojën për një organizim sa më të mire të intelektualëve orthodhoksë të cilët me prezencën dhe fjalën e tyre të japin dëshminë,të mbrojnë besimin dhe Kishën Orthodhokse.
Fjala e tij u përqëndrua në katër pika të cilat duhet të jenë parullat ose slloganet e Lidhjes së Intelektualëve Orthodhoksë.
Pika e pare është Besimi.
Besimin të cilin ne duhet ta njohim sa më mire dhe të kuptojmë të gjitha ato sa ofron tek ne dhe tek të tjerët. Njohja e thellë e besimit kthehet në burim force, por që të jetë sa më i efektshëm është e nevojshme pjesmarrja në jetën liturgjike të Kishës Orthodhokse, sepse kjo pjesmarrje lartëson shpirtin tone.
Pika e dytë është Miqësia.
Miqësia është e nevojshme për të gjithë, na duhet mbështetja e njëri-tjetrit “mjerë ai i cili është i vetëm”. Na duhet të gjejmë force dhe të mbështetim njëri-tjetrin. Në këtë ndihmojnë kontaktet me të shpeshta dhe njohja sa më e mire e njëri-tjetrit duke njohur traditat dhe zakonet që ndryshojnë nga qyteti në qytet dhe nga zona në zonë. Në këtë ndihmon akoma dhe ruajtja e zakonit të vizitave gjatë festimit të emrave, sepse jemi një familje.
Pika e tretë Dëshmia.
Dëshmia që është kaq e nevojshme sidomos në këtë shoqëri që është me tranzicion dhe në të cilën ne nuk mund të mbetemi spektatorë sepse jemi pjestarë dhe aktorë në zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Ne duhet të japim dëshminë mbi të vërtetat e besimit tonë, duke pohuar me guxim, pa frikë, Zotin tonë.
Pika e katërt është Shërbimi.
Duhet të ndajmë, të dallojmë, e të zbutim dhimbjen e shoqërisë sepse nuk mjafton të rrënkojmë (psherëtijmë) por duhet të lehtësojmë dhimbjen. Pra të shërbejmë kudo, tek të gjithë sa kanë nevojë qofshin fëmijë apo të moshuar. Shërbimi duhet të bëhet pa dallim dhe në çdo rast dhe nga çdo besimtar orthodhoks sepse ky shërbim, zbukuron dhe i jep vlerë jetës sonë.
Më pas e mori i fjalën z Pirro Prifti i cili është një besimtar dhe një intelektual i dalluar, dhe me kontribut të madh në Kishën Orthodhokse. Një penë shkencore e cila nuk ngurron që të shkruajë për të vërtetën e pastër në lidhje me Kishën tonë por dhe Kyepiskopin e saj Fortlumturinë e Tij Anastas.
Ai pasi bëri një hyrje të shkurtër iu rreferua historisë së Kishës Orthodhokse Autoqefale Shqiptare ku dallohet që komuniteti orthodhoks ka dhënë maksimalen e për krijimin e këtij shteti.
Fjalët që do të veçonim nga hyrja e z Pirro Prifti janë ato që theksonin dhe njëherë kontributin e madh dhe të pazvëndësueshëm që ka dhënë Kryepiskopi Anastas, i cili është dhe një shembull jo vetëm për kontributin e pakufishëm që ka dhënë për të gjithë popullin shqiptar, por dhe për mënyrën se si ai jeton dhe dëshmon për besimin orthodhoks. Ai deklaron i sigurt se shkaku kryesor për ringjalljen dhe lulëzimin e vazhdueshëm të Kishës Orthodhokse, në këtë nivel të lartë që ndodhet sot, është Fortlumturia e Tij Anastas Janullatos.
Pas z Pirro Prifti vazhduan fjalët e disa prej intelektualëve si z Thoma Miço etj.
Kurr kjo mbledhje mbaroi u shpërndanë formularët e antarësisë dhe u qërasën të pranishmit. Gjithashtu u dhura për mjekët libri me Jetën e Shën Lukait të Krimesë ndërsa për të gjithë të tjerët një libër me titullin “Përmbledhje e Besimit Orthodhoks”. Të gjithë u mblodhën pranë Kryepiskopit për të marrë bekimin e për të këmbyer qoftë dhe dy fjalë.
Për intelektualët besimtarë të Mitropolisë së Korçës rruga e kthimit filloi në ora 14:30. Tek të gjithë dukej qartë kënaqësia e cila vinte si rrjedhojë e takimit me Fortlumturinë e Tij Kryepiskopin Anastas të cilit me fjalë dhe me zemër i urojnë që Zoti ti falë shëndet dhe sa më shumë vite pranë nesh.
Th Bambulla
Teolog