Përgjigje historianit Kristo Frashëri, botuar në Gazeta Shqiptare 9.9.2013

Skandal i trefishtë: Sakrilegji, Fshehja e ekzistencës së qendrës së re kulturore moderne në Përmet, Fyerjet dhe akuzat e pabaza.

Nga Kryepiskopi Prof. Dr. Anastasi (Yannoulatos), Profesor Emeritus i Universitetit të Athinës, Anëtar Nderi i Akademisë së Athinës

 

Përgjigje historianit Kristo Frashëri, botuar në Gazeta Shqiptare 9.9.2013

 

    1. Në 16 gusht të 2013, ditën që pasoi njërën nga festat më të rëndësishme të botës orthodhokse, Fjetja e Hyjlindëses Mari, në qytetin e Përmetit ndodhi një sakrilegj i rëndë. Rreth njëzet burra të një policie private shembën kambanoren e thjeshtë sipër të cilës ndodhej Kryqi, hynë brenda kishës me dhunë, goditën katër klerikë shqiptarë dhe besimtarët, hoqën ikonat, morën gurin e themelit të kishës dhe hodhën Ungjillin e Shenjtë dhe Enët e Shenjta në makinën e mbledhjes së mbeturinave të Bashkisë. Falë fakteve e dokumenteve të pakundërshtueshme dhe pamjeve që qarkulluan, pati një zemërim të madh midis orthodhoksëve, jo vetëm të Shqipërisë. Skenat kujtonin kohëra të vjetra, kur nisi persekutimi ateist në Shqipëri. 

   Nëse supozohet se do të ndodhte një ngjarje e tillë e ngjashme në një objekt kulti të një besimi tjetër dhe ateistë apo njerëz të besimeve të tjera të flaknin sendet e shenjta në një makinë mbeturinash, është e sigurt se do të pasonte një reagim shumë i fortë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe më gjerë. Siç ishte e natyrshme, ngjarjet i dënuan shumë vetë, duke nisur nga kryeministri i vendit deri tek organizmat ndërkombëtarë të krishterë, të cilët u vunë në dijeni.

    Asgjë prej këtyre nuk ka parë ose dëgjuar historiani Frashëri. Në artikullin e tij të gjatë, që u botua në “Gazeta Shqiptare”, në 26 gusht 2013, nuk gjeti asnjë fjalë për të folur rreth sakrilegjit. E vetmja gjë që thekson në epilogun e shkrimit të tij është propozimi: “priftërinjtë që shkelën vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe prishën rendin publik, duhen dërguar para gjyqit” (ka në mendje katër klerikët shqiptarë në moshë të pjekur, që policia private i goditi pa mëshirë). Njëkohësisht, ai e gjeti shkakun për të bërë një seri fyerjesh dhe akuzash të pabaza ndaj Kryepiskopit dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Me mënyrën e tij të njohur arbitrare, siguron se “…nuk ka dyshim se prapa Kishës së Përmetit qëndron kryepeshkopi Anastas Janullatos…”. E siguroj se i mësova këto ngjarje më pas. Klerikët orthodhoksë dhe laikët besimtarë nuk kanë nevojë për urdhra, që të mbrojnë të shenjtat dhe të hirshmet. Ata e kanë fuqinë për t’u bërë ballë vetë cenimeve ateiste. Nëse kur u njoftova për ngjarjen e hidhur, nuk do të ngrija zërin e protestës, do të kisha qenë një udhëheqës kishtar frikacak. 

    Z. Frashëri del në përfundimin se, u shërbej qëllimeve të errëta dhe se synoj ta lë Përmetin pa shtëpi kulture. Deklaroj shumë qartë: Kjo është një akuzë tërësisht e gënjeshtër. Nuk e kam menduar kurrë diçka të tillë. Nga ana tjetër, nuk ekziston dilemë midis kishës dhe shtëpisë së kulturës. Që të dyja mund ta pasurojnë Përmetin nga ana shpirtërore. E kemi qartësuar në mënyrë të përsëritur, se Kisha është e predispozuar të kontribuojë ekonomikisht në ngritjen e shtëpisë kulturore të Përmetit, natyrisht me emrin Naim Frashëri. Por për Kishën Orthodhokse, kishat, në të cilat kryhej Liturgjia Hyjnore për shekuj të tërë, janë vende të shenjta. Dhe në këtë pikë mbështetet ankesa dhe protesta e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë ndaj Shtetit Shqiptar. Autoritetet shtetërore e dinë shumë mirë se sa kisha konfiskuan, shkatërruan apo i kthyen ato në destinacione të tjera. Pas ardhjes së Demokracisë e për më tepër pas Kushtetutës së vitit 1998, që thekson respektin ndaj lirisë fetare, shpresonim se, nëse jo për të tjerat, por të paktën vendet e shenjta, arkivat fetare kishtare, ikonat, enët e shenjta, çdo gjë që lidhej me adhurimin, do t’i riktheheshin përsëri Kishës Orthodhokse. Në vend të kësaj, përballemi me një taktikë shumëvjeçare shmangiesh, diskriminimesh dhe padrejtësish, madje edhe me vendime gjyqësore të mbështetura në të dhëna të gënjeshtra dhe dëshmitarë të rreme. Këtu qëndron çështja kryesore për Kishën Orthodhokse. 

    Në të gjitha shtetet e tjera ish komuniste të Ballkanit, kjo çështje tanimë është zgjidhur përfundimisht. Në Shqipëri, me marifete të shumëllojta ligjore, është shmangur. Më në fund, sipas Kushtetutës së vitit 1998 (neni 10), u bë Marrëveshja midis Këshillit të Ministrave dhe Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë. Në kohën e negociatave mbi këtë ligj, u diskutua me organet shtetërore kompetente edhe çështja e Përmetit, me shpresën se do të rregullohej me anë të mekanizmave politikë, duke përfunduar me restaurimin e kishës së vjetër të shekullit të 17-të dhe ngritjen e shtëpisë së kulturës. Por ky rregullim, si edhe kthimi i monumenteve të kulturës vazhdimisht është shtyrë. Për fat të keq, ligji 10057 nuk zbatohet.  

 

    Z. Frashëri me lehtësinë e tij, që ka për të dalë në përfundime për çështje që në thelb nuk i njeh fare, siguron se kisha ishte një ndërtesë e vogël 25 m2. Në të vërtetë është e njohur për të gjithë nga fotot e ndryshme dhe skicat arkitektonike, mbi bazën e të cilave u transformua ndërtesa, por edhe nga muret që ekzistojnë edhe sot nga kisha e vjetër, se bëhet fjalë për një ndërtesë me përmasa 20x14m. Madje kishës i përket jo vetëm pjesa ku u bë shtëpia e kulturës, por i gjithë territori përreth, sot lulishte, me një sipërfaqe prej 6186 m2, e gjitha e dokumentuar. Personi që punoi planin e shndërrimit të kishës së të Tërëshenjtës së Pazarit të Përmetit në shtëpi kulture në vitet 1960-61, zj.Vasilika Cicko, në një relacion të sajin (24.2.2004), shënon: “Pas kontrollit të aftësisë mbajtëse të ndërtesës ekzistuese, u konkludua se muret perimetrale të saj ishin në gjendje statike të mirë dhe të afta për të përballuar ngarkesat që ato do të përballonin dhe për këtë arsye ato u ruajtën të paprekura”. Por, kryesorja në këtë çështje nuk është madhësia, por shenjtëria e kishës në fjalë, e cila i takon trashëgimisë kulturore të Shqipërisë nga shekulli i 17-të.

    Z. Frashëri shtron pyetjen përse nuk kërkuam diçka të ngjashme edhe në Tiranë. Por këtu nuk kishte ngelur asnjë gjurmë e kishës së vjetër dhe në truallin e saj u ndërtua Tirana International Hotel me 15 kate. Në fund fare, qeveria tregoi mirëkuptim dhe na dha truallin, mbi të cilin u ndërtua një kishë nga ana estetike e shkëlqyer dhe origjinale, pranë së cilës u përkujdesëm të ndodhet edhe kompleksi modern i qendrës kulturore. Z. Frashëri e zhvesh rëndësinë e Kishës Orthodhokse për nga shenjtëria e saj dhe në të njëjtën kohë shenjtëron rëndësinë e qendrës kulturore, veçanërisht të asaj të Përmetit. 

    2. Z. Frashëri njëkohësisht u rikthehet me pasion dhe fantazi të sëmurë akuzave të vjetra të pabaza. Ngul këmbë se kryepiskopi “është grek jo vetëm nga kombësia, por edhe nga ideologjia nacionaliste greke. Ai nuk është misionar ortodoks, por një agjitator i nacionalizmit grek…”. 

    Por realiteti e përgënjeshtron në mënyrë absolute. Qarqet ekstremiste nacionaliste të Greqisë, në mënyrë të përsëritur sulmojnë Kryepiskopin Anastas. Nga ana tjetër, qarqe nacionaliste ekstremiste të Shqipërisë e akuzojnë për veprime antishqiptare. Se çfarë është dikush në të vërtetë, këtë e tregojnë veprat dhe shkrimet e tij. Kanë qarkulluar dhjetëra libra dhe qindra artikuj të mi në dymbëdhjetë gjuhë të ndryshme. Le të kërkojë z. Frashëri dhe grupi që e ndihmon, për të zbuluar ndonjë notë nacionaliste. I izoluar në dhomën e tij të punës dhe në librat e tij, nuk e di faktin se organizma ndërkombëtarë, siç është Këshilli Botëror i Kishave, Konferenca e Kishave Evropiane apo Konferenca ndërfetare e Feve për Paqen, janë shumë të vëmendshëm dhe nuk zgjedhin kurrë zëvendës-presidentë, presidentë, presidentë nderi (pozita me të cilat më kanë nderuar), njerëz për të cilët ekziston edhe dyshimi më i vogël se kanë mentalitete nacionaliste ekstremiste.

    Ashtu si z. Frashëri nuk e pa flakjen e Ungjillit dhe të Enëve të Shenjta si mbeturina në makinën e plehrave të Përmetit, po kështu nuk i ka parë kishat e reja madhështore në Korçë, Fier, Berat, Durrës, Sarandë, Gjirokastër, gjithsej janë ndërtuar mbi 150 të tilla; mbi 160 kisha të vjetra që janë rindërtuar, 60 monumente kombëtare kulture të restauruara. Apo konsideron “sjellje dhe veprimtari antishqiptare” psh. ngritjen e Qendrës moderne Diagnostike “Ungjillizimi” në Tiranë, ku në 12 vitet e funksionimit të saj, u ka shërbyer mbi 1.400.000 personave, pavarësisht përkatësisë fetare, Qendrën Okulistike dhe Otorinolaringologjike. Të gjitha këto të pajisura me aparaturat më moderne të teknologjisë së fundit. Klinikat e tjera që funksionojnë në Kavajë, Korçë, Lushnjë, Jorgucat, në zona të tjera rurale; veprën e gjerë sociale, filantropike, veçanërisht në periudha të krizave politiko-sociale të vendit (1992, 1994, 1997), organizimin e ndihmës në vitin 1999 për 33000 refugjatë nga Kosova. Apo programet bujqësore dhe blegtorale, të zhvillimit rural në zona malore, si dhe në çështjet e shëndetit, interesimin për përmirësimin e cilësisë së jetës të banorëve të fshatit me ndërtimin e rrugëve, ujësjellësve. Dhe 450 ndërtesat e ndërtuara në total, të cilat u ngritën edhe për të strehuar shkolla, qendra mjekësore, jetimore, konvikte etj. Mos i konsideron të tilla 120 librat liturgjikalë e shkencorë, të cilat u përkthyen në shqip dhe u botuan nga Kisha apo revistat e botimet e tjera në shqip?! Me veprat e infrastrukturës që janë kryer – të gjitha këto u bënë me fondet e gjetura nga Kryepiskopi në vende të ndryshme të Evropës dhe të Amerikës,- Kisha ka kontribuar në zhvillimin ekonomik të vendit, duke iu ofruar punë qindra punonjësve, dhjetëra shoqërive private dhe qindra punëtorëve e mjeshtërve vendas. Me të gjitha këto, është një prej investitorëve më seriozë të vendit. 

    Këta janë vetëm disa shembuj “të aktivitetit antishqiptar të Kryepiskopit”. Por kontributi i madh i Kryepiskopit në jetën kulturore dhe shpirtërore të Shqipërisë njihet prej qindra mijëra orthodhoksësh, që nuk reshtin së treguari përkushtimin, mirënjohjen dhe dashurinë e tyre. Përkundrazi, tekstet e z. Frashëri janë të mbushura përplot me sulme nacionaliste kundër Greqisë. Ndërsa ne e shikojmë të ardhmen e Ballkanit në pjesëmarrjen e barabartë në Bashkimin Evropian, fantazitë tuaja fobike të risjellin në mendje të shkuarën. Personalisht besoj në mënyrë të patundur, në nevojën e respektit të ndërsjellë, të pajtimit, të ndihmës reciproke midis popujve dhe të ecjes së përbashkët drejt qytetërimit dhe mirëqenies. 

    3. Z. Frashëri, duke e vazhduar taktikën e tij të bërjes së sakrilegjit, u rikthehet në mënyrë monotone temave, që janë tashmë qartësuar plotësisht prej vitesh në letrën time të fundit, botuar në Gazeta Shqiptare, dt 3.12.2010 ku u bënë të qarta pasaktësitë e tij historike, dyshimet e tij të pabaza dhe mosnjohja e plotë e të dhënave biblike dhe e institucioneve kishtare. Sigurisht, ndaj këtij teksti nuk pati asnjë kundërpërgjigje. Për të mos ngelur as dyshimi më i vogël në lidhje me faktet historike, duke u nisur nga shtrembërimi sistematik që u bëhet atyre, që ka si synim të tijin mashtrimin e njerëzve që nuk kanë njohuri, po i përmbledh përsëri shkurtimisht në përshkrimin e mëposhtëm.

     Zgjedhja ime si Kryepiskop, që u bë në 24 qershor të 1992, u konsiderua sipas kanoneve në fuqi të Orthodhoksisë, një fakt i kryer kishtar. Dhe u bë i ditur publikisht me Letrat Patriarkale të veçanta, dërguar Kishave të tjera Orthodhokse Autoqefale, të cilat e pranuan zgjedhjen me shumë dashamirësi. Duhet të rikujtojmë këtu se edhe Sinodi i parë kanonik i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë u zgjodh në vitin 1937, po në Konstandinopojë, nga Patriarkana Ekumenike, pa pjesëmarrjen më të vogël të faktorëve të tjerë. Fronëzimi, u bë, pas një sërë konsultimesh me autoritetet kompetente shtetërore shqiptare, në Kishën Katedrale të Ungjillizimit të Tiranës, në 2 gusht 1992, me praninë e të gjithë përfaqësuesve klerikë dhe laikë të krahinave të Shqipërisë. Liturgjia Hyjnore përfundoi rregullisht si edhe ceremonia e thjeshtë e fronëzimit. Vijoi një drekë zyrtare në Tirana Hotel, ku nuk u krye asnjë akt kishtar. Për këtë ngjarje janë botuar në mënyrë të përsëritur, përshkrimet e njerëzve të ndodhur atje. 

Vendosja e Primatit të ri të një Kishe lokale, vuloset nga ana ligjoro-kanonike me Letrat paqësore, që u dërgon primatëve të Kishave të tjera dhe me përgjigjet zyrtare që merr në këmbim. Të gjitha këto u kryen në mënyrë të rregullt. Kisha Orthodhokse ka histori dhe institucione shumëshekullore, që ruhen me saktësi absolute. Si përfundim, besimi me tërë shpirtin i besimtarëve orthodhoksë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë për Kryepiskopin, shkatërroi çdo përpjekje minuese kundër tij. Pas 22 vitesh vjen z. Frashëri për të na fyer, në mënyrën më dashakeqe, me mitet e tij. 

     Sa i takon Statutit të 1929, për të cilin ka nostalgji, është provuar në mënyrë të përsëritur, se ishte ky Statut me 14 nene të tij, që skllavëroi Kishën Orthodhokse të Shqipërisë tek pushteti shtetëror dhe se është hartuar përpara shpalljes së Autoqefalisë së Kishës së Shqipërisë. (Për më shumë mund të shikojë dikush përgjigjen time në Gazeta Shqiptare dt. 3.12.2010 si edhe në librin që do të qarkullojë së shpejti “Ringritja e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë (1991-2012,) Tiranë 2013. 

     Sipas Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë, (neni 10, paragrafi 5), është nënshkruar “Marrëveshja ndërmjet Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella”, dhe është miratuar nga Parlamenti dhe është bërë ligj i Shtetit nr. 10057/22.1.2009. Sipas këtij ligji (neni 5, paragr.1) “Shteti respekton Kishën Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe njeh si përfaqësues të saj vetëm personat e autorizuar nga Sinodi i Shenjtë i kësaj Kishe dhe garanton mbrojtjen e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë nga çdo person ose grup që pretendon emrin, objektet e kultit, pronat, simbolet ose vulën e saj”. Ndërsa në nenin 23 paragrafi 1, thuhet përsëri: “Objektet e kultit që kanë statusin e monumentit të kulturës t’i kthehen në pronësi Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë dhe do të mbrohen e trajtohen nga ligji për trashëgiminë kulturore”. 

    4. Z. Frashëri, në artikullin e tij fyes, nuk mungon të na sigurojë se lindi në 1920 dhe se u pagëzua i krishterë orthodhoks. Por nuk flet fare për konseguencën e tij ndaj besimit orthodhoks, në vitet e persekutimit ateist, por edhe për vazhdimin gjatë viteve të Demokracisë. Është e njohur se shumë vetë në Shqipëri, vetëm në emër orthodhoksë, përndoqën Kishën Orthodhokse. Se sa është dikush me të vërtetë orthodhoks, këtë e tregojnë idetë dhe veprat e tij. 

    Sipas z. Frashëri, vetëm “ …ndonjë prift grek” mendon për këtë çështje në këtë mënyrë “ …i paçliruar ende nga mentaliteti mesjetar, pasi vetëm për ta Shën Mëria vlen më tepër se një hero kombëtar, siç është Naim Frashëri… Shën Mëria nuk më çliroi nga zgjedha osmane. Ai që më çliroi ishte Naim Frashëri. Vëlla, me bashkatdhetarët e mi të feve të tjera nuk më bëri Shën Mëria, por Naim Frashëri, madje ajo më përçau me bashkatdhetarët e mi të besimeve të tjera. Identitetin tim kombëtar nuk ma kaliti Shën Mëria, por Naim Frashëri me shokët e tij. Kjo nuk do të thotë se nuk e çmoj Shën Mërinë, por si yll polar kam Naimin dhe rilindësit e tjerë. E vlerësoj Shën Mërinë si nënën e Krishtit për dhembshurinë që ajo përhap tek njerëzit…”. Ky tekst është i qartë për dalldisjen nacionaliste, por jo sigurisht për besimin e krishterë orthodhoks dhe atë të krishterë në përgjithësi rreth të Tërëshenjtës Mari. Dhe jo vetëm për orthodhoksët e Shqipërisë, por edhe për orthodhoksët dhe romanokatolikët e mbarë botës, kjo është diçka fyese. 

    Z. Frashëri është i lirë të besojë ose jo në të vërtetat që na jep Kisha Orthodhokse. Por ajo që nuk i lejohet, është të dojë të shfaqet si specialist në çështje të Orthodhoksisë dhe të japë leksione të Theologjisë, të së Drejtës Fetare, të Historisë Kishtare tek Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë. 

    Çdo historian objektiv e njeh shumë mirë dekadencën në të cilën ndodhej Kisha e Shqipërisë në dhjetëvjeçarët e parë të shekullit të 20-të si edhe shpërbërjen e plotë që i shkaktoi regjimi ateist. Por në të njëjtën kohë është fare e qartë, se nga viti 1991, në një kohë pasigurie dhe turbullirash, Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë forcoi besimin, pajtimin, dashurinë, shpresën e popullit orthodhoks dhe më në përgjithësi të shoqërisë shqiptare, duke qëndruar me këmbëngulje dhe në mënyrë të ndërgjegjshme larg çdo lloj përzierjeje politike. Për këtë arsye, vlerësohet gjerësisht si brenda vendit dhe ndërkombëtarisht, sepse me praninë e saj, kontribuoi esencialisht në ndërtimin dhe në zhvillimin e përgjithshëm shpirtëror dhe social të Shqipërisë.

    Post Scriptum

Kisha përfunduar përgjigjen e mësipërme, kur mësova nga interneti, se në Përmet ekziston tashmë nga viti 2010 një Qendër Kulturore Multifunksionale moderne (shih foton), e cila ka edhe sallë të madhe për aktivitete, muze, zyra etj. E vetmja gjë që harruan ishte t’i venë emrin “Naim Frashëri”. 

    Mua kujtua fakti se në vitet 2009-2010 një zyrtar shtetëror na kishte premtuar se që të zgjidhej kjo çështje, Shteti do t’i jepte Bashkisë shtëpinë e oficerëve, për t’u bërë qendër kulturore, që të na kthehej vendi ku prej shekujsh ndodhej kisha e të Tërëshenjtës Mari. Në atë kohë shprehëm gatishmërinë tonë për të kontribuar ekonomikisht në krijimin e Qendrës Kulturore, po për këtë u përdorën fonde të ardhura nga Italia. Por, megjithëse tashmë qyteti e kishte qendrën kulturore, gjatë periudhës tranzitore të ndryshimit të qeverisë, u organizua ndërmarrja mjerane me fushatën tinëzare kundër Kryepiskopit dhe e përdhosjes dhe zhurmës shurdhuese kundër Kishës Orthodhokse. 

    Gjatë këtyre javëve u fsheh nga të gjitha palët ekzistenca e kësaj qendre të re kulturore dhe u përsërit akuza e gënjeshtër se gjoja Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë, nuk do që të ketë qendër kulture në Përmet. Është e qartë se dilema nuk është Kishë ose Qendër Kulture. Me sa duket të interesuarit për të marrë Kishën, e bëjnë këtë për arsye përfitimi dhe aspak për motive kulturore. Si rrjedhojë, këtu kemi të bëjmë me një skandal të trefishtë, sakrilegjin e paturpshëm që ka ekspozuar vendin në arenën ndërkombëtare, fshehjen sistematike të faktit real, se në Përmet ekziston tashmë një qendër kulturore, për të mashtruar opinionin publik dhe përdorimi arbitrar i kësaj çështjeje për të bërë fyerje dhe akuza të pabaza kundër Kryepiskopit dhe në përgjithësi kundër Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë.

Author: admin