Joani është më i madhi ndër profetët, për këtë ikonizohet gjithnjë në të majtë të Zotit Jisu Krisht. Pas së Tërëshenjtës, personi i parë më i respektuar nga të gjithë shenjtorët është Joan Pararendësi. Ai dëshmoi për të vërtetën dhe për ligjin e shenjtë të Perëndisë. Me qëllim që ky ligj të ruhej i pastër e i pa cënuar, Joani sakrifikoi duke mos nguruar të kritikonte edhe mbretin Herod, i cili bënte një jetë të shthurur. Joani e kritikoi hapur mbretin Herod, sepse kishte marrë për grua Herodiatën, të venë e vëllait të tij Filipit. Me guximin që e karakterizonte, Joani i tha:- “Nuk është e lejueshme që të kesh gruan e vëllait tënd”. Për këtë arrësye Herodiata e urrente Joanin dhe donte të hakmerrej sapo të gjente rastin. Herodi shtroi një gosti me rastin e ditëlindjes së tij, ku ftoi gjithë parinë e Galilesë. Gjatë gostisë bija e Heroditës kërceu një valle me të cilën i mahniti të gjithë të pranishmit e në mënyrë të veçantë Herodin. Atëhere mbreti i entuzjazmuar i premtoi vajzës:- ” Kërko çfarë të duash dhe unë do të jap deri në gjysmën e mbretërisë sime”. Vajza vajti tek e ëma dhe e pyeti se çfarë të kërkonte. E ëma plot djallëzi i tha:- “Kërko kokën e Joan Pagëzorit”. Mbreti nuk mund që ta refuzonte premtimin që pati dhënë. Atëhere dërgoi një ushtar duke e urdhëruar që t’ia sillte kokën e Joanit në pjatë.