10 Jul Festohet Shën Prokopi mbrojtësi i Tiranës

   Kisha e Shën Prokopit në Tiranë kishte panair në përkujtim të Shën Prokopit, mbrojtësit të Tiranës. Me këtë rast u mblodhën klerikë dhe besimtarë të shumtë, për të kremtuar së bashku Shën Prokopin. Në orën 19:00 së ditës së dielë, më 7 korrik, filloi shërbesa e Mbrëmësores së Madhe të shenjtit. Kjo shërbesë u kryesua nga Episkopi i Bylisit, Hirësi Asti. Predikimin para besimtarëve e mbajti Atë Justini. Ai u përqendrua tek jeta e këtij martiri të Kishës sonë. Më pas gjatë natës, dyert e kishës qëndruan të hapura dhe besimtarët u lutën së bashku në agripninë e organizuar për këtë rast. Agripnia u drejtua nga Episkopi i Amantias, Hirësi Nathanaili. Në orët e para të mëngjesit të së hënës, në Kishën e Shën Prokopit u kryen shërbasat e mëngjesores, Liturgjia Hyjnore dhe litania rreth kishës, të cilat u kryesuan nga Episkopi i Krujës, Hirësi Andoni. Në fund të Liturgjisë Hyjnore, predikimin përpara besimtarëve e kreu Atë Kozma Sovjani, i cili pasi tregoi shkurtimisht jetën e shenjtit tha se të gjithë duhet të ruajmë të pastër jetën tonë më Krishtin. Ashtu si Shën Prokopi, të gjithë shenjtorët e tjerë të Kishës së Shenjtë Orthodhokse  u veshën më Krishtin dhe tani janë në më të lartat, me Zotin Krisht. Atë Kozmai ndër të tjera tha: “Krishti u dha pushtet nxënësve të Tij që të shkelin mbi fuqinë e armikut. Armiku i njerëzve dhe armiku i Perëndisë është vetëm një, Djalli. Ai na lufton dhe përpiqet të na hedhë në mëkat, që të humbasim rrugën tonë dhe të humbasim shpirtin tonë. Krishti na jep fuqi edhe si Perëndi që është zotëron çdo gjë në botë, çdo element të natyrës, çdo qënie, çdo gjallesë, çdo krijesë, të gjitha marrin jetë prej Tij. U jep kurajo edhe besim nxënësve të tij edhe Kishës që të shkelin mbi fuqinë e armikut. Kjo është fuqia jonë”. Pasi bëri përlëshimin e Liturgjisë Hyjnore, Hirësi Andoni i ftoi më pas të gjithë besimtarët në litaninë rreth Kishës së Shën Prokopit, ku kleri dhe besimtarët me ikonën e Shenjtit psalën troparet që tregojnë për këtë shenjtor, martir të Kishës sonë Orthodhokse dhe njëherësh mbrojtës të Tiranës.

Luljeta Pjetri


Author: admin