Rigjallërimi i tempujve orthodhoks në Shqipëri

    Në katedralen “Ngjallja e Krishtit” më 24 Qershor 2013 u kremtua një festë dyfisht, e gëzueshme dhe e veçantë, për të gjithë besimtarët orthodhoksë të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë, pasi në këtë ditë mbushet një vit, nga funksionimi liturgjikal i Katedrales së shenjtë “Ngjallja e Krishtit”. Po më 24 Qershor, por të vitit 1992, Sinodi i Shenjtë i Patriakanës Ekumenike zgjodhi unanimisht si Kryepiskop të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, episkopin e Andrusës, Anastasin, pas kërkesës se besimtarëve orthodhoks shqiptar, meqenëse Kisha Orthodhokse e Shqipërisë e shkatërruar tërësisht nuk kishte asnjë episkop për ta drejtuar sepse të gjithë ishin larguar nga kjo jetë. Hapësira midis këtyre dy ngjarjeve është e mbushur me ngjarje historike, kontribut dhe shërbim të Kishës Orthodhokse të Shqipërisë duke vazhduar lidhjen e ngushtë shekullore e tradicionale me historinë dhe jetën e shoqërisë shqiptare. Është e rëndësishme të theksojmë faktin se besimi i krishterë në këto troje nuk u ngjiz me ndihmën e faktorëve të përkohshëm dhe momental, por nga dëshira e njerëzve për t’i dhënë kuptim jetës të tyre.
    Regjimi komunist, pavarësisht se shkatërroi nga themelet kishat dhe xhamitë, nuk mundi të çrrënjosë nga mendja dhe zemra e qytetarëve, besimin dhe dashurinë tek Zoti, pavarësisht se kujt feje ata i përkasin. Bashkë me përmbysjen e regjimit komunist, mori fund dhe periudha e persekutimeve ndaj besimeve fetare. Periudha, qysh nga ardhja e demokracisë e këtej, flet më së miri se feja, e kujtdo besimi qoftë, nuk mund të rrënjoset nga regjimet diktatoriale. Edhe regjimi pavarësisht nga shkatërrimet që i bëri vlerave kulturore e fetare, nga viti ’90 e këtej, u detyrua të pranonte shkatërrimin e vlerave fetare, që i bëri para 23 viteve. Gjatë këtyre njëzet e ca viteve, janë ndërtuar dhjetëra e qindra objekte kulti, ku besimtarët luten duke adhuruar Perëndinë. Qysh nga viti 1992 e këtej janë ndërtuar nga themelet 150 kisha të reja, të mëdha dhe të vogla, në të cilat janë ndërthurur stilet tradicionale të ndërtimit të kishave me prirjet dhe stilet moderne, janë restauruar 60 kisha dhe manastire, monumente kulture dhe janë rikonstruktuar 160 kisha të tjera, të cilat në kohën e komunizmit kishin ndryshuar destinacion. Është kjo një vepër e madhe që i takon lavdërimi Perëndisë, por dhe falënderimi Kryepiskopit Anastas, i cili që në momentin e parë që erdhi në Shqipëri vizitën e parë bashkë me besimtarët e bëri në kishën e Ungjillëzimit në Tiranë, e cila deri atëherë kishte funksionuar si palestër dhe u ristrukturua me mbështetjen financiare të tij. Kjo vizitë e Kryepiskopit në këtë kishë bashkë me besimtarët, të cilët mbanin në dorë qirinj të ndezur dhe psalnin “Krishti u Ngjall” shpreh rëndësinë qendrore që ka tempulli, episkopi dhe populli besimtar në jetën e Kishës. Kryepiskopi me ndërtimin, restaurimin dhe rikonstruksionin e tempujve, me vizionin dhe frymën që transmetoi këto vite në funksionimin e tempujve, e konsolidoi dhe i shtoi vlera të tjera Kishës Orthodhokse  në Shqipëri. Kjo bëhet e prekshme dhe nga fakti që ndërtimi, restaurimi dhe ristrukturimi i tempujve orthodhoks u ndërthur  me ndërtimin e objekteve të tjerë si 17 kopshte, 7 shkolla, 5 qendra diagnostike, qendra rinore etj. Të gjitha këto objekte të ndërtuara për shërbime të ndryshme të Kishës i bëjnë tempujt të transmetojnë dhe të shfaqin në shoqëri dimensionin teologjik, shoqëror, ekonomik dhe kulturor.
    Tempulli për Kishën Orthodhokse nuk është një objekt i thjesht si çdo objekt tjetër që gjendet në botë. Tempujt nga ana teologjike japin mundësinë për adhurimin e Perëndisë dhe lëçitjen e fjalës së Tij, kthimin e marrëdhënies së njeriut me Perëndinë, pendimin dhe kërkimin e mëshirës dhe shpëtimit në Perëndi. Ushtrimi i këtyre dy misioneve brenda në tempull për besimin e krishterë orthodhoks merr dimensione të veçantë, sepse tempulli identifikohet me trupin e besimtarëve dhe ku Krishti është kreu i këtij tempulli. Kështu që tempulli i Perëndisë bëhet prezent dhe shoqërues në jetën e përditshme të besimtarit dhe shprehje e lirisë së besimit të tij duke u identifikuar me termin kishë, pasi atje ku ndodhet një tempull atje gjendet e gjithë kisha. Pra ndërtimi i tyre është një gjallërim i Kishës në Shqipëri, gjallërim i lirisë së besimit dhe adhurimin e Perëndisë, gjallërim i marrëdhënieve shoqërore të besimtarëve midis tyre dhe me gjithë njerëzit e tjerë. Nga forcimi i këtyre marrëdhënieve në tempull u formuan besimtarë që kanë marrë përsipër misionin t’i shërbejnë si klerik në altarin e Perëndisë, sot shërbejnë 146 klerikë, shtetas shqiptar, të cilët përhapin fjalën e Perëndisë dhe ofrojnë ndihmë shoqërore në njerëzit që janë në nevojë.
    Nga sa thamë më sipër bëhet e qartë se tempulli është i ndërlidhur me komunitetin, pasi është ekzistenca e një komuniteti që kërkon dhe ndërtimin e një tempulli. Ai është shprehje e ekzistencës së komunitetit dhe ndërtimi i tij lidhet me iniciativën dhe kontributin e besimtarëve. Kjo nënkuptonte që duhet të ekzistonte komuniteti i formuar dhe mundësia ekonomike. Historia e ndërtimit e mbi 600 tempuj që u shkatërruan ose ndryshuan destinacionin në kohën e komunizmit është treguese e qartë e këtij fakti. Por fillimet e proceseve demokratike dhe lirisë së shprehjes së besimit nuk e kishin të mundur kristalizimin e një komuniteti dhe aq më tepër një mundësi ekonomike, kështu që për të tejkaluar këtë vështirësi dhe të nxitë formimi i komuniteteve të krishterë rreth një tempulli një rol qendror luajti Kryepiskopi Anatsas, i cili me iniciativën, përpjekjet dhe mundin e tij siguroi financimin për gjithë këto ndërtime.
    Ndërtimi i një tempulli është një vepër shoqërore sepse ose ndërtohet nga një marrëdhënie dhe shoqëri njerëzish, të cilët besojnë dhe adhurojnë Perëndinë për shpëtimin ashtu siç mund të ndërtohet një tempull, të formohet dhe kristalizohet një shoqëri, e cila nuk kufizohet brenda mureve të tempullit, por shtrihet tej tij.  Rasti i dytë është më i theksuar në Shqipëri, pasi në shumë qytete mungonin tempujt, madje dhe kur ato ishin, kishin destinacion të tjetërsuar dhe kërkohej restaurim i tyre. Dimensioni shoqëror i tempullit bëhet më i prekshëm kur kisha bëhet pikë referimi ndryshe nga sa ishte në kohët e mëparshme. Në qoftë se më përpara tempulli ishte pikë referimi, pasi nuk mbulohej nga hija e objekteve të larta, sot gjendet nën presionin e këtyre hijeve. Për të mos humbur këtë dimension shoqëror tempujt u ndërtuan me ambiente ndihmëse.
    Kështu tempujt kanë ambiente për fëmijët, ku funksionojnë kopshtet, grupet e katekizmit, kampet ditore që organizohen në periudha të caktuara dhe u afrohet fëmijëve mundësia për të krijuar një shoqëri me Perëndinë dhe me njëri-tjetrin. Qendrat rinore janë një aspekt tjetër i mundësisë që ofrojnë ambientet e tempullit. Të rinjtë në këto qendra ushtrojnë dhuntitë që u ka dhuruar Perëndia, duke marrë shpesh iniciativa për të ofruar ndihmën në njerëzit që janë në nevojë. Ndihma për  refugjatët kosovar që erdhën në kohën e luftës në vitin 1999 dhe gjetën mbështetjen e të rinjve të kishës, si dhe vizitat dhe ndihmat në institucione të ndryshme për njerëzit që gjenden në nevojë, janë aktivitete të zakonshme të të rinjve që janë pjesë e tempujve orthodhoks. Organizimi i programeve edukuese dhe argëtuese nga ana e të rinjve, ekzistenca e librarive modeste në tempujt janë vepra që ndikojnë dhe i fuqizojnë në procesin e shoqërizimit të tyre. Madje jashtë optikës së të rinjve nuk mbeten dhe takimet me personat që i përkasin besimeve të tjera ose që nuk besojnë dhe kjo mbështetet në perceptimin e respektimit të veçorisë së personit, e cila e ka shoqëruar besimin e krishterë në historinë e tij. Të rinjtë gjejnë në iniciativën e tyre mbështetjen e moshës së rritur ose bëhen ata pjesë e iniciativave të rriturve. Ndihma për ushqimin e të varfërve me vakte ushqimi, vizita në burgje që merren përsipër nga organizatat e të rriturve gjejnë gjithmonë përkrahjen e të rinjve. Në këtë mënyrë në tempull forcohet shoqëria e besimtarëve me persona të ndryshëm të shoqërisë ashtu si dhe forcimi i marrëdhënieve midis personave që i përkasin brezave të ndryshëm.
    Jashtë kontekstit shoqëror të tempullit nuk mbetet dhe veçoria që ka Kisha Orthodhokse në Shqipëri, ku besimtarët e saj vijnë nga prejardhje të ndryshme etnike, shqiptarë, grekë, vllehnjë, sllavë. Në përjetimin e frymës së dashurisë që përcjell tempulli i Perëndisë besimtarët me prejardhje të ndryshme jo vetëm bashkëjetojnë, por formojnë një komunitet dashurie, të cilin e shprehin në çdo marrëdhënie që ndërtojnë në jetën e përditshme. Kjo është një veçori dhe vlerë që në kishën orthodhokse ekziston prej brezash dhe e cila zhvillohet gjithmonë e më tepër dhe duke i rezistuar presioneve nga pjesë të caktuar të shoqërisë, pavarësisht se muret e tempujve janë të rinj ose të rigjallëruar rishtas. Në gjithë këtë vepër shoqërore që zhvillohet brenda kishës orthodhokse përjetohet dhe përcillet mesazhi se marrëdhëniet e vërteta nuk mund t’i ngjajmë formës të masivizimit që u shfaq në kohën e komunizmit dhe formës individualiste që mbizotëron në shoqërinë e sotme.
    Rindërtimi dhe restaurimi i tempujve afroi mundësinë që të rimerrnin jetë tempujt orthodhoks të vjetër, të cilët ishin kthyer në muze apo kishin ndërruar destinacionin, dhe kjo bazohet mbi konceptin teologjik të Kryepiskopit që “tempujt nuk janë mbetje të qytetërimit të së kaluarës, por mushkëritë gjallëruese të qytetërimit të sotëm dhe mitra e lindjes së qytetërimit të ardhshëm” (Anastasi, Kryepiskop i Tiranës dhe i gjithë Shqipërisë, “Fjala e Fronëzimit” Ngjallja, botimi zyrtar i Kishës Orthodhokse Autoqefaletë Shqipërisë, 1(1992), fq.7). Ky veprim i Kishës është i rëndësishëm pasi hiri i Perëndisë nuk mund të mbyllet në kornizat e një muzeu as nuk mund të ndryshojë destinacion. Tempulli është vendi ku njeriu komunikon me Perëndinë, ku njeriu merr jetë nga Perëndia, ku jeta i ofrohet njerëzve, pra është vend jete, kështu ai nuk mund të kryej funksionin e tij kur me dhunë i ndërpritet ky proces ose i deformohet. Në traditën e krishterë orthodhokse në tempujt e saj themelohet një shoqëri hyjnoro-njerëzore, të një shoqërie personash, ku çdo person përjeton vlerën e tij dhe vlerën e personit që ka përballë dhe ku tempulli është vendi ku themelohet dhe përjetohet kjo shoqëri. Pra njeriu në tempull gjen elemente hyjnore, por dhe elemente të qenies së tij. Brenda tempullit gjen elemente të natyrës së tij, përjeton dhe i jep kuptim fatkeqësive, gëzimit, besimit, moralit dhe jetës.
    Këto dimensione të tempullit e bëjnë atë të mos kufizohet në kufijtë dhe të hapësirës. Ndikimi i këtij perceptimi të rëndësishëm na ka shfaqur sot një fenomen ku kisha Orthodhokse të mos kufizohet, por të shtrihet në hapësirë dhe në kohë. Në këto vite kemi dhe një element të rëndësishëm dhe të prekshëm kur tempulli është ndërtuar në një truall ku më parë nuk kanë ekzistuar tempull orthodhoks dhe ku vendi jo vetëm shenjtërohet, por bëhet dhe vend ku ofrohet shenjtërimi i Perëndisë. Gjithashtu kemi dhe një gjallërim të traditës ku janë ndërtuar dhe rindërtuari tempuj për shenjtorë që ofruan për shoqërinë tonë, Kishat “Apostull Pavli dhe shën Asti” në Durrës, “shën Donati në Xarë të Sarandës, “shën Joan Vladimir” në Elbasan, “shën Kozmai” në Kolkondas, apo rindërtimi i kishave për shenjtorë që ofruan dhe që krijuan një lidhje të veçantë me besimtarët orthodhoks në Shqipëri, si shën Vlashi në Durrës etj. Apo siç është e dukshme ripërtëritja e traditës orthodhokse duke ndërtuar kisha për nder të ngjarjeve të mëdha zotërore si “Lindja e Krishtit” dhe “Ngjallja e Krishtit”. Brenda kishave dhe historisë së besimit, e cila vjen nëpërmjet shenjtorëve dhe ngjarjeve të ndryshme, besimtari dhe shoqëria gjejnë piketa referuese për udhëtimin e shoqërisë, pasi janë ato piketa që janë bërë frymëzuese për ndërtimin e shoqërive demokratike. Këtë gjë na e bën më të qartë rasti i apostull Pavlit, i cili shfrytëzoi hapësirat e lirisë që kishte krijuar Perandoria Romake, si liria për të lëvizur lirshëm apo e drejta për t’u mbrojtur para Çezarit. Por këtyre hapësirave që kishte Perandoria Romake i shtoi elementë të tjerë të rëndësishëm siç është p.sh. perceptimi i ri për të mesmen, ku guximit për të folur ndaj shthurjes dhe padrejtësive ndaj të tjerëve i vendosi përballë durimin e padrejtësive që bëheshin ndaj tij. Përballë frikës së pushtetit vendosi guximin e besimit tek Perëndia. Martirizimi i tij është dëshmia më e qartë. Ai ndërthuri forcën e logjikës së njeriut me forcën e pastërtisë së moralit. Pra ndërtimi i kishave për nderim të këtyre shenjtorëve apo ngjarjeve hyjnore e pasuron shoqërinë njerëzore me elementë që shpesh herë janë të huaj për të dhe që në qendër është hiri i Perëndisë. Kjo e bën të qartë që tempujt orthodhoks e ndërtuar dhe u bënë qendra ku përcillet kulturë dhe qytetërim, madje tempujt e rinj po zënë gjithmonë e më tepër vend dhe hapësirë si vende pelegrinazhi dhe në guidat turistike. Në to është ofruar dhe zhvilluar arkitektura kishtare duke ndërthurur elementët tradicional me prirjen e arkitekturës moderne. Katedralja “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë është një dëshmi e qartë e këtij vendimi.
    Ndërtimi në thelb është zhvillim dhe progres. Kur ndërtohet një tempull ky proces ndërthur dy momente të rëndësishëm, ekonomik dhe shpirtëror. Kështu vepra ndërtuese e Kishës Orthodhokse sa  është një vepër shpirtërore është dhe një vepër ekonomike, pasi investimi ofroi të mira monetare për mijëra punonjës, taksa për të ndihmuar zhvillimin e ekonomik të vendit dhe një mundësi të madhe për zhvillimin e turizmit, që përkthehen në përfitim ekonomik për shoqërinë shqiptare. Madje në prizmin ekonomik ka dhe një dimension tjetër që është i rëndësishëm. Ndërtimi, restaurimi dhe riparimi i kishave, manastireve dhe objekteve të tjerë në këto vite u bë i mundur me iniciativën dhe përpjekjet e Kryepiskopit Anastas, për të siguruar burimet monetare nga dhurues të ndryshëm nga të katër anët e botës. Këto iniciativa dhe përpjekje të Kryepiskopit krijuan shembullin për krijimin e traditës së dhurimit dhe ofrimit tek të tjerët. Madje ky perceptim nuk u kufizua vetëm në ndërtimin e tempujve, por dhe në ofrimin për plotësimin e nevojave të përditshme. Shembujt e parë të ofrimit monetar dhe material për njerëzit e tjerë në nevojë nga ana e besimtarëve bëhet gjithmonë dhe më i prekshëm në tempujt e Kishës Orthodhokse në Shqipëri.
    Pra tempulli dhe komuniteti janë dy element që përmbushin njëri–tjetrin. Zgjedhja e Kryepiskopit është hapi i rëndësishëm për të formuar komunitetin e besimtarëve orthodhoks, pasi formimi i një komuniteti kërkon ekzistencën e një episkopi. Ky proces i dha mundësi ndërtimit, restaurimit dhe riparimit të shumë tempujve, ku katedralja “Ngjallja e Krishtit” në Tiranë është pika kulmore. Në këtë marrëdhënie komunitet–tempull zhvillohet dhe jetësohet dimensioni teologjik, social, kulturor dhe ekonomik. Ashtu siç mund të dalin në pah se qenia njerëzore është e pandashme nga ky proces dhe mund të marrin misione të rëndësishme të veçanta dhe të rëndësishme, ku shembulli konkret është ai i Kryepiskopit Anastas, i cili në gjithë këto vite nxiti dhe fuqizoi procesin e ndërthurjes së tempullit me njeriun, me komunitetin. Kështu duke prekur vetëm elementin e ndërtimit, rindërtimit dhe restaurimit të tempujve të saj, dhe formimin e komuniteteve të krishtera orthodhokse (460 enori – famulli janë sot), Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë i ofron shoqërisë shqiptare një mundësi për zhvillim, progres dhe emancipim.


Thoma Çomëni
Pedagog i Akademisë Teologjike “Ngjallja e Krishtit” Shën Vlash, Durrës
Botuar te gazeta “Shqip”, 27 qershor 2013, fq.18-19.


Author: admin