Leximet Biblike Isa. 2:3-11 Gjen. 1:24-2:3 Fja.Urt.2:1-22 Ungjilli Mk. 11:22-25, Mt. 7:7-8


Leximet Biblike Isa. 2:3-11 Gjen. 1:24-2:3 Fja.Urt.2:1-22 Ungjilli Mk. 11:22-25, Mt. 7:7-8

Isa. 2:3-11 

Shumë popuj do të vijnë duke thënë: “Ejani, të ngjitemi në malin e Zotit, në shtëpinë e Perëndisë të Jakobit; ai do të na mësojë rrugët e tij dhe ne do të ecim në shtigjet e tij”. Sepse nga Sioni do të dalë ligji dhe nga Jeruzalemi fjala e Zotit. Ai do të sigurojë drejtësi midis kombeve dhe do të qortojë shumë popuj. Do t’i farkëtojnë shpatat e tyre duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj; një komb nuk ka për të ngritur shpatën kundër një kombi tjetër dhe nuk do të mësojnë më luftën. O shtëpi e Jakobit, ejani dhe të ecim në dritën e Zotit! Sepse ti, o Zot, ke braktisur popullin tënd, shtëpinë e Jakobit, sepse janë plot me praktika lindore, ushtrojnë magjinë si Filistejtë, lidhin aleanca me bijtë e të huajve. Vendi i tyre është plot me argjend dhe me ar dhe thesaret e tyre nuk kanë fund; vendi i tyre është plot me kuaj dhe qerret e tyre s’kanë të sosur. Vendi i tyre është plot me idhuj; bien përmbys përpara veprës së vetë duarve të tyre, përpara atyre gjërave që kanë bërë gishtat e tyre. Prandaj njeriu i zakonshëm përulet dhe njeriu i shquar ulet, por ti nuk i fal. Hyr në shkëmb dhe fshihu në pluhurin përpara tmerrit të Zotit dhe përpara shkëlqimit të madhërisë së tij. Vështrimi krenar i njeriut do të ulet dhe krenaria e vdekatarëve do të përulet; vetëm Zoti do të lartësohet atë ditë.
Gjen. 1:24-2:3

P
astaj Perëndia tha: “Të prodhojë toka qenie të gjalla sipas llojit të tyre: kafshë, rrëshqanorë dhe bisha të tokës, simbas llojit të tyre”. Dhe kështu u bë. Dhe Perëndia bëri egërsirat e tokës sipas llojit të tyre, kafshët simbas llojit të tyre dhe të gjithë rrëshqanorët e tokës simbas llojit të tyre. Dhe Perëndia e pa që kjo ishte mirë. Pastaj Perëndia tha: “Ta bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë dhe në ngjasim me ne, dhe të ushtrojë sundimin e tij mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit, mbi kafshët e mbi gjithë tokën, mbi rrëshqanorët që zvarriten mbi dhe”. Kështu Perëndia krijoi njeriun simbas shëmbëlltyrës së vet, simbas shëmbëlltyrës së Perëndisë; Ai krijoi mashkullin e femrën. Dhe Perëndia i bekoi; dhe Perëndia u tha atyre: “Të jeni të frytshëm dhe shumëzohuni, mbushni tokën e nënshtrojeni, e sundoni mbi peshqit e detit, mbi zogjtë e qiellit dhe mbi çdo qenie që lëviz mbi tokë”. Dhe Perëndia tha: “Ja unë po ju jap çdo bar që lëshon farë mbi sipërfaqen e mbarë tokës dhe çdo pemë të ketë fruta që përmbajnë farë; kjo do t’ju shërbejë si ushqim. Dhe çdo kafshe të tokës, çdo zogu të qiellit dhe çdo gjëje që lëviz mbi tokë dhe ka në vetvete një frymë jete, unë i jap çdo bar të gjelbër si ushqim”. Dhe kështu u bë. Atëherë Perëndia shikoi të gjitha ato që kishte bërë, dhe ja, ishte shumë mirë. Kështu erdhi mbrëmja dhe pastaj erdhi mëngjesi: dita e gjashtë. Kështu përfunduan qielli dhe toka si dhe tërë ushtria e tyre. Ndërkaq ditën e shtatë Perëndia mbaroi veprën që kishte kryer dhe ditën e shtatë u çlodh nga gjithë vepra që kishte kryer. Dhe Perëndia bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi, sepse atë ditë Perëndia u çlodh nga gjithë vepra që kishte krijuar dhe kryer.
Fja.Urt.2:1-22
B
iri im, në rast se pranon fjalët e mia dhe i quan thesar urdhërimet e mia, duke i vënë veshin diturisë dhe duke e prirur zemrën ndaj arsyes; po, në rast se kërkon me ngulm gjykimin dhe ngre zërin për të siguruar mirëkuptim, në rast se e kërkon si argjendin dhe fillon të rrëmosh si për një thesar të fshehur, atëherë do të ndjesh frikën e Zotit dhe ke për të gjetur kuptimin e Perëndisë. Sepse Zoti jep diturinë; nga goja e tij rrjedhin njohuria dhe arsyeja. Ai mban rezervë për njerëzit e drejtë një ndihmë të fuqishme, një mburojë për ata që ecin me ndershmëri për të mbrojtur shtigjet e drejtësisë dhe për të ruajtur rrugën e shenjtorëve të tij. Atëherë do të kuptosh drejtësinë, barazinë, ndershmërinë dhe tërë rrugët e së mirës. Kur dituria të të hyjë në zemër, edhe njohja do të jetë e këndshme për shpirtin tënd, të menduarit do të kujdeset për ty dhe gjykimi do të të mbrojë, për të të çliruar nga rruga e keqe, nga njerëzit që flasin për gjëra të këqija, nga ata që braktisin shtigjet e ndershmërisë për të ecur në rrugët e territ, që gëzohen kur bëjnë të keqen dhe ndjejnë kënaqësi në çoroditjet e njeriut të keq, shtigjet e të cilit janë të shtrembëra dhe rrugët dredha-dredha, për të të shpëtuar nga gruaja që ka shkelur kurorën, nga gruaja e huaj që përdor fjalë mikluese, që ka braktisur shokun e rinisë së saj dhe ka harruar marrëveshjen e lidhur me Perëndinë. Sepse shtëpia e saj zbret drejt vdekjes dhe shtigjet e saj drejt të vdekurve. Asnjë prej atyre që shkojnë tek ajo nuk kthehet, asnjë nuk i arrin shtigjet e jetës. Kështu do të mund të ecësh në rrugën e të mirëve dhe do të mbetesh në shtigjet e të drejtëve. Sepse njerëzit e drejtë do të banojnë tokën dhe ata të ndershëm do të qëndrojnë aty; por të pabesët do të shfarosen nga toka dhe shkelësit do të hiqen prej saj.
Ungjilli Mk. 11:22-25, Mt. 7:7-8

Edhe Jisui u përgjigj, e u tha atyre: Kini besim në Perëndinë, sepse me të vërtetë po ju them juve, se kush t’i thotë këtij mali: Ngrihu dhe hidhu në det, dhe të mos ketë dyshim në zemrën e tij, por të besojë se sa thotë bëhen, do t’i bëhet atij çdo gjë që të thotë. Prandaj po ju them juve, gjithë sa të lypni duke u falur, besoni se do t’i merrni, dhe do t’ju bëhen juve. Edhe kur të rrini të faleni, ndjeni, në paçi gjë kundër ndonjërit, që edhe Ati juaj që është në qiejt t’ju ndjejë juve fajet tuaja. Lypni, dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni, dhe do t’ju hapet. Sepse kushdo që lyp merr, dhe ai që kërkon gjen, dhe atij që troket do t’i hapet.

Author: admin