Leximet Isa. 2:11-21, Gjen. 2:4-19, Fja.Urt. 3:1-19 Ungjilli Mt. 7:7-11


Leximet Isa. 2:11-21, Gjen. 2:4-19, Fja.Urt. 3:1-19 Ungjilli Mt. 7:7-11
Isa. 2:11-21

Vështrimi krenar i njeriut do të ulet dhe krenaria e vdekatarëve do të përulet; vetëm Zoti do të lartësohet atë ditë. Sepse dita e Zotit të ushtrive do të vijë kundër çdo gjëje krenare dhe kryelartë dhe kundër çdo gjëje që ngrihet, për ta ulur, kundër gjithë kedrave të Libanit, të lartë dhe të ngritur, dhe kundër të gjitha lisave të Bashanit, kundër të gjitha maleve të larta dhe kodrave të larta; kundër çdo kulle shumë të lartë dhe kundër çdo muri të fortifikuar, kundër gjithë anijeve të Tarshishit dhe kundër të gjitha gjërave të këndshme. Kryelartësia e njeriut do të ulet dhe krenaria e njerëzve të shquar do të përulet; vetëm Zoti do të lartësohet atë ditë. Idhujt do të hiqen plotësisht. Njerëzit do të hyjnë në shpellat e shkëmbinjve dhe në guvat e tokës përpara tmerrit të Zotit dhe shkëlqimit të madhërisë së tij, kur do të ngrihet për ta bërë tokën të dridhet. Në këtë ditë njerëzit do t’ua hedhin minjve dhe lakuriqve të natës idhujt e tyre prej argjendi dhe idhujt e tyre prej ari, që i kanë prodhuar për t’i adhuruar, për t’u futur në të çarat e shkëmbinjve dhe në greminat e krepave para tmerrit të Zotit dhe shkëlqimit të madhërisë së tij, kur do të ngrihet për ta bërë tokën të dridhet.
Gjen. 2:4-19

Këto janë origjina e qiellit dhe e tokës kur u krijuan, ditën që Zoti Perëndi krijoi tokën dhe qiellin. Nuk kishte ende mbi tokë asnjë shkurrëz në fushë dhe asnjë bar nuk kishte mbirë ende në fushë, sepse Zoti Perëndi nuk kishte hedhur asnjë shi mbi tokën dhe nuk ekzistonte njeriu për të punuar tokën. Por nga toka ngjitej një avull që ujiste tërë sipërfaqen e tokës. Atëherë Zoti Perëndi formoi njeriun nga pluhuri i tokës, i fryu në vrimat e hundës një frymë jete, dhe njeriu u bë një qenie e gjallë. Pastaj Zoti Perëndi mbolli një kopsht në Eden, në lindje, dhe vendosi në të njeriun që kishte formuar. Pastaj Zoti Perëndi bëri që të mbijnë nga toka lloj-lloj pemësh të këndshme nga pamja dhe që jepnin fruta të mira për t’u ngrënë; në mes të kopshtit gjendeshin edhe pema e jetës dhe pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes. Një lumë dilte nga Edeni për të ujitur kopshtin dhe ndahej në katër rrjedha uji. Emri i lumit të parë është Pishon; është ai që rrethon tërë vendin e Havilahut, ku ka flori; dhe floriri i këtij vendi është i mirë; aty gjenden gjithashtu bdeli dhe guri i oniksit. Emri i lumit të dytë është Gihon, dhe ai rrethon tërë vendin e Kushit. Emri i lumit të tretë është Tigri, dhe është ai që rrjedh në lindje të Asirisë. Lumi i katërt është Eufrati. Zoti Perëndi e mori pra njeriun dhe e futi në kopshtin e Edenit, me qëllim që ta punonte dhe ta ruante. Dhe Zoti Perëndi e urdhëroi njeriun duke i thënë: “Ha bile lirisht nga çdo pemë e kopshtit; por mos ha nga pema e njohjes të së mirës dhe të së keqes, sepse ditën që do të hash prej saj ke për të vdekur me siguri”. Pastaj Zoti Perëndi tha: “Nuk është mirë që njeriu të jetë vetëm; unë do t’i bëj një ndihmë që i leverdis”. Dhe Zoti Perëndi formoi nga dheu tërë kafshët e fushës dhe tërë zogjtë e qiellit dhe i çoi te njeriu për të parë si do t’i quante; dhe sido që njeriu t’i quante qeniet e gjalla, ai do të ishte emri i tyre. 
Fja.Urt. 3:1-19

Biri im, mos harro mësimet e mia dhe zemra jote le të ruajë urdhërimet e mia, sepse do të të shtohen ditë të gjata, vite jete dhe paqeje. Mirësia dhe e vërteta mos të lënçin kurrë; lidhi rreth qafës, shkruaji mbi tabelën e zemrës sate; do të gjesh kështu hir dhe arsye në sytë e Perëndisë dhe të njerëzve. Ki besim tek Zoti me gjithë zemër dhe mos u mbështet në gjykimin tënd; pranoje në të gjitha rrugët e tua, dhe ai do të drejtojë shtigjet e tua. Mos e mbaj veten të ditur në sytë e tu, ki frikë nga Zoti dhe hiq dorë nga e keqja; kjo do të jetë shërim për nervat e tua dhe freskim për kockat e tua. Ndero Zotin me pasurinë tënde dhe me prodhimet e para të çdo të ardhure që ke; hambarët e tu të grurit do të jenë plot e përplot dhe vozat e tua do të gufojnë me musht. Biri im, mos e përçmo ndëshkimin e Zotit dhe mos urre qortimin e tij, sepse Zoti qorton atë që do, si një baba djalin që atij i pëlqen. Lum ai njeri që ka gjetur diturinë dhe njeriu që ka përftuar arsyen. Sepse fitimi i tij është më i mirë se fitimi i argjendit dhe fryti i tij vlen më tepër se ari i kulluar. Ajo është më e çmuar se perlat dhe mbarë gjërat më të këndshme nuk mund të barazohen me të. Gjatësia e jetës është në të djathtë të saj, pasuria dhe lavdia në të majtë të saj. Rrugët e saj janë rrugë të kënaqshme dhe në të tërë shtigjet e saj mbretëron paqja. Ajo është një dru i jetës për ata që e kapin dhe lum ata që mbahen fort atje. Me diturinë Zoti krijoi tokën dhe me zgjuarësinë i bëri të qëndrueshëm qiejtë.
Ungjilli Mt. 7:7-11

Lypni, dhe do t’ju jepet; kërkoni dhe do të gjeni; trokitni, dhe do t’ju hapet. Sepse kushdo që lyp merr, dhe ai që kërkon gjen, dhe atij që troket do t’i hapet. Apo cili është ai njeri nga ju, i cili, në lyptë i biri bukë, do t’i japë atij gur? Edhe në lyptë peshk, mos do t’i japë atij gjarpër? Në qoftë pra se ju që jeni të ligj dini t’u jepni gjëra të mira bijve tuaj, sa më tepër Ati juaj që është në qiejt do t’u japë të mira atyre që lypin nga ai?

Author: admin