Pashkë 2013: Mesazhi i Mitropolitit të Korçës, Hirësisë së Tij +Joanit

5 Maj, Pashkë 2013
“Të mos dëshpëroheni si të tjerët që nuk kanë shpresë” (I Selanikasve 4:13)

I

Dita e Pashkës është me të vërtetë një ditë gëzimi dhe shprese. Është pikërisht kjo shpresë që i jep jetës sonë kuptim dhe na jep forcë për tu përballur me të gjitha vështirësitë e kësaj jete. Kjo shpresë është fuqia e njerëzimit, me anë të asaj ne mund të ndezim zjarrin e dashurisë dhe të dhembshurisë ndaj ndaj njëri-tjetrit dhe ndaj gjithçkaje, sepse fuqia e dashurisë është shpresa (Shën Joani i Shkallës). Pa praninë e shpresës, jo vetëm që ne e humbasim kuptimin e jetës dhe e pakësojmë fuqinë tonë shpirtërore, por me humbjen e saj humbasim edhe gëzimin, i cili është tharmi dhe kripa e jetës.
Shpresa që lind nga ngjarja e Pashkës, Ngjallja e Krishtit, nuk është thjesht një emocion njerëzor apo një iluzion, por ajo buron nga takimi me një realitet që i kapërcen kufijtë e kësaj jete, duke bërë që shpresa jonë të jetë si për këtë kohë, ashtu edhe në atë që do të vijë. Në shpresofshim në Krishtin vetëm në këtë jetë – thotë Apostulli – jemi më të mjerët e gjithë njerëzve(I Kor.15:19). Shpresa jonë është një realitet i vërtetë i përjetuar në Kishë nëpër shekuj, sepse një emocion thjesht njerëzor, apo iluzion, nuk do të mund të zgjaste kaq shumë kohë, dhe nuk do të mund të mbante gjallë miliona njerëz, gjatë gjithë historisë dy mijëvjeçare. Ky realitet ngrihet mbi Ngjalljen e Zotit dhe në efektin real të kësaj ngjarjeje në jetën tonë, duke e shndërruar atë dhe të gjitha ndijimet e saj, dhe duke derdhur në të një jetë të re. Në këtë ngjarje, të përjetuar me besim dhe shpresë, ne mund të rigjejmë qëllimin tonë të ekzistencës dhe të restaurojmë natyrën tonë të vërtetë. 

II

Por përsëri, ne nuk jemi të shkëputur nga realiteti i kësaj bote, ku për shkaqe të shumta njeriu mund të humbasë shpresën dhe të zhytet në dëshpërim. Sepse gjithmonë, dhe sidomos në kohët e sotme, ka shumë arsye që të dëshpërohemi dhe të humbasim shpresën. Arsyet për dëshpërim mund të jenë personale, familjare, kombëtare, rajonale ose të përbotshme. Prania e vuajtjeve, sëmundjeve dhe vdekjes, varfëria, krizat ekonomike dhe shpirtërore, që krijojnë ankth dhe pasiguri për jetën, konfliktet dhe luftrat në shumë pjesë të botës, të cilat sjellin shkatërrim dhe mjerim, janë me të vërtetë shkaqe për dëshpërim. Si njerëz ne mund të dëshpërohemi.
Por Apostulli na porosit që të mos dëshpërohemi si të tjerët që nuk kanë shpresë, sepse dëshpërimi pa shpresë është një rrugë pa dalje. Vetëm shpresa është drita që mund të na ndriçojë rrugën në errësirën e jetës, dhe të largojë nga ne mjegullën e dëshpërimit. Ne kemi shpresë dhe shpresa jonë nuk është e kotë, ajo buron nga siguria e ngjalljes së Krishtit, i Cili mundi errësirën, frikën, urrejtjen dhe vetë vdekjen. Kjo shpresë na forcon në dobësi, na jep dritë në dëshpërim, kurajo në fatkeqësi dhe na mbron që të mos mbytemi në detin e hidhërimit. Sado të mëdha të jenë vështirësitë e jetës ato nuk mund ta shkatërrojnë shpresën tonë, sepse ajo i ka themelet në Zotin e ngjallur. Vuajtjet dhe mundimet nuk mund të na i shuajnë dot gëzimin dhe shpresën, sepse dashuria dhe dhembshuria e Zotit përfshijnë tërë njerëzimin. Ejani tek Unë gjithë sa jeni të munduar dhe të rënduar dhe unë do t’ju jap çlodhje –thotë Zoti (Math. 11:28).

III

Gëzohemi dhe lavdërojmë Zotin në këtë ditë, sepse kjo ditë është për ne të gjithë agimi i një jete të re pambarim. Gëzohemi dhe lavdërojmë Krishtin, sepse drita e shpresës së Ngjalljes ka larguar errësirën, frikën dhe dëshpërimin. E lavdërojmë Krishtin dhe dëshirojmë ta themi edhe sot përsëri, se fitorja e Tij mbi vdekjen është një fitore universale, për të gjitha kohërat, për të gjithë popujt, për të gjitha racat; fitore në të cilën mund të gëzohet çdo njeri. E lavdërojmë Krishtin dhe duam që kjo të ushtojë dhe të kumbojë kudo, se kjo është fitorja e të gjithë qenieve njerëzore. Çdo fitore tjetër në botë ka krijuar ndarje dhe vazhdon t’i ndajë njerëzit nga njëri-tjetri. Kur një fiton, një tjetër humb. Njëri gëzohet dhe tjetri hidhërohet. Ndërsa në fitoren e Ngjalljes së Krishtit mundet vdekja, armiku i përbashkët i të gjithë njerëzve. Çdo shpresë tjetër në botë ka qenë e përkohshme dhe e pjesëshme, ndërsa shpresa e çliruar nga varri i zbrazët në Jeruzalem është shpresë e përjetshme dhe për të gjithë njerëzit. 

Të dashur vëllezër e motra. Kjo është me të vërtetë një ditë gëzimi dhe shprese. Le ta ndezim dritën e shpresës dhe le ta përhapim këtë dritë kudo. Ne kemi nevojë për këtë shpresë, familjet tona, vendi ynë dhe gjithë bota kanë nevojë për të. Le të shkojmë pra, me dritën e shpresës të ndezur në zemrat tona, tek të gjithë ata që janë në vuajtje, në sëmundje, në varfëri dhe në dëshpërim, dhe le t’u themi atyre se ka shpresë, se gjithçka që e frikëson dhe e dëshpëron njeriun është mundur nga drita dhe dashuria e Krishtit.

Në këtë ditë të shpresës do të doja t’i përshendes të gjithë me lajmin e gëzuar se Krishti u Ngjall!

 

Author: admin