Festa e nënës, nga grupet e Katekizmit të Mitropolisë së Shenjtë Korçë!

Në traditën shekullore Orthodhokse dita e Ipapandisë = E Hyrjes së Zotit në Tempull është një festë e veçantë Zotërore dhe Mitërore. Në këtë ditë ashtu siç e dimë Hyjlindësja me Zotin foshnjë hyri në tempull.

Për këtë arsye kjo ditë është dhe Festa e Nënës të të gjithë orthodhoksëve por dhe e çdo nëne Orthodhokse e cila ka si shëmbull të jetës së saj të Tërëshenjtën.

Sot më tepër se kurrë të gjitha nënat duhet t’i luten asaj që t’i ndihmojnë në veprën e vështirë të rritjes së fëmijëve. Por gjithashtu duhet që të gjitha nënat t’i ngjajnë asaj, e cila i dha “hua” Zotit trup njeriu dhe Ai e dëgjon atë aq shumë.

Nënat e sotme më shumë se kurrë duhet të drejtojnë fëmijët tek Zoti dhe jo në një jetë që si bazë dhe shtyllë kurrizore ka materien dhe pasionet.

Duke pasur të gjitha këto parasysh me bekimin dhe prezencën e Mitropolitit të Korçës Hirësi Joanit u zhvillua në shfaqje teatrale festive nga grupet e katekizmit të Mitropolisë  e cila kishte si synim të nderonte nënat orthodhokse por dhe t’i kujtonte atyre rolin e rëndësishëm që kanë në krijimin e shoqërisë nëpërmjet rritjes më Krishtin të brezave të rinj. Për të arritur këtë qëllim u morë si shembuj dhe nënat e Shenjtorëve të mëdhenj si Tre Jerarkët.  Në të njejtën kohë t’iu kujtonte dhe fëmijëve se sa të rëndësishme janë nënat dhe prindërit në përgjithësi në jetën e tyre.

Në fund Hirësi Joani falenderoi fëmijët dhe mësuesit për shfaqjen e bukur dhe plot mësime shpirtërore. Ai dhe njëherë kujtoi rolin e rëndësishëm të nënës në rritjen më Krisht të  fëmijës por dhe në krijimin në zemrën e tij të qëllimit madhor të çdo njeriu që nuk është tjetër përveç se të bëhet një shenjtor dhe t’i ngjajë kështu Krijuesit të tij.

Author: admin