Përkujdesja e vazhdueshme për njerëzit në nevojë si shprehje e dashurisë më Krishtin nga Mitropolia e Shenjtë Korçë.

Mitropolia e Shenjtë Korçë me kryebari Hirësinë e Tij, Mitropolitin Joan me dashuri vëllazërore për vite me rradhë përkujdeset për të varfërit e qytetit tonë, pa dallim.  Kjo përkujdesje nuk është gjë tjetër veçse tregimi me vepra e dashurisë që vetë Zoti Jisu Krisht na porositi që të kemi për çdo njeri e sidomos për ata që janë të pamundur dhe janë të dobët nga shumë pikpamje. Natyrisht Mitropolia në veprën e saj ka në krah mjaft besimtarë të cilët nga teprica apo pakica me zemër të qashtër japin kontributin e tyre për vëllezërit në nevojë. Nuk duhet harruar se të gjithë besimtarët duhet të japin sa kanë mundësi që ky shërbim të zgjatë në kohë dhe të rritet në cilësi dhe sasi duke përfshirë sa më shumë persona në nevojë. Ai që jep lëmoshë për vëllezërit në nevojë i jep hua Perëndisë dhe depoziton një thesar të paçmuar në qiell.  Kështu dhe të hënën pas Pashkës vetë Mitropoliti Joan, me rastin e festës, ishte prezent, si dhe herë të tjera, në drekën e përditëshme që u shtrua për vëllezërit në nevojë. Ai iu shërbeu atyre duke na dhënë të gjithëve një shembull të mirë. “Ata janë pjesë e trupit tonë dhe nëse një pjesë e trupit është e sëmurë i gjithë trupi është i sëmurë” theksoi në mesazhin e tij, drejtuar besimtarëve, Mitropoliti Joan, në mënyrë që të kuptojmë të gjithë se sa e rëndësishme është për çdo orthodhoks ndihma ndaj të afërmit i cili barazohet me çdo person në nevojë pa dallim.   
Mund të dëgjoni mesazhin e Mitropolitit në Videon që po shtojmë por dhe të shihni fotografitë për të kuptuar sa më mirë qëllimin e kësaj vepre, nevojën dhe dobinë që të gjithë të marrim pjesë me të gjitha mënyrat e mundshme. Kjo është dhe shprehje reale e dashurisë të krishterë të cilën na i tregoi dhe Zoti ynë Jisu Krisht me Kryqëzimin dhe Ngjalljen e tij.  

Author: admin