Deklarata e përbashkët e Papa Franceskut dhe Patriarkut Ekumenik Vartholomeu I

Deklarata e përbashkët
e Papa Franceskut dhe Patriarkut Ekumenik Vartholomeu I
 
 
“Kujtimi i Apostujve, që i shpallën botës lajmin e mirë të Ungjillit përmes predikimit të tyre dhe dëshmisë së martirizimit, forcon përbrenda nesh aspiratën për të vazhduar të ecim së bashku në mënyrë që të tejkalohen, në dashuri dhe në të vërtetë, pengesat që na ndajnë.”
 
 
   Ne, Papa Francesku dhe Patriarku Ekumenik Vartholomeu, i shprehim mirënjohjen tonë të thellë Perëndisë për dhuratën e këtij takimi të ri që na mundëson, në prani të anëtarëve të Sinodit të Shenjtë, kleri dhe besimtarëve të Patriarkanës Ekumenike, të kremtojmë së bashku festën e Shën Andreas, të parëthirurit dhe vëllait të Apostullit Petro. Kujtimi i Apostujve, që i shpallën botës lajmin e mirë të Ungjillit përmes predikimit të tyre dhe dëshmisë së martirizimit, forcon përbrenda nesh aspiratën për të vazhduar të ecim së bashku në mënyrë që të tejkalohen, në dashuri dhe në të vërtetë, pengesat që na ndajnë.

   Me rastin e takimit tonë në Jerusalem majin e kaluar, në të cilin përkujtuam përqafimin historik të paraardhësve tanë të nderuar Papa Pali VI dhe Patriarku Ekumenik Athinagora, ne nënshkruam një deklaratë të përbashkët. Sot, me rastin e lumtur të këtij takimi të mëtejshëm vëllazëror, ne dëshirojmë të riafirmojmë së bashku synimet tona të përbashkëta dhe shqetësimet.

   Shprehim vendosmërinë e sinqertë dhe të fortë, duke iu bindur vullnetit të Zotit tonë Jisu Krishtit, që të intensifikojmë përpjekjet tona për të nxitur unitetin e plotë të të gjithë të krishterëve, dhe mbi të gjitha, në mes katolikëve dhe orthodhoksëve. Gjithashtu, synojmë të mbështesim dialogun teologjik promovuar nga Komisioni i Përbashkët Ndërkombëtar, i ngritur këtu në Fanar saktësisht tridhjetë e pesë vjet më parë nga Patriarku Ekumenik Dhimitri dhe Papa Gjon Pali II, dhe që aktualisht është duke trajtuar çështjet më të vështira që kanë shënuar historinë e ndarjes sonë dhe që kërkojnë studim të kujdesshëm dhe të detajuar. Për të arritur këtë, ne ofrojmë sigurinë e lutjes sonë të zjarrtë si Barinj të Kishës, duke iu kërkuar besnikëve tanë të bashkohen me ne në lutje “Që të gjithë të jenë një, që të besojë bota” (Jn. 17:21).

   Shprehim shqetësimin tonë të përbashkët për situatën aktuale në Irak, Siri dhe në të gjithë Lindjen e Mesme. Ne jemi të bashkuar në dëshirën për paqe dhe stabilitet dhe në vullnetin për të arritur zgjidhjen e konflikteve nëpërmjet dialogut dhe pajtimit. Duke njohur përpjekjet tashmë të bëra për të ofruar ndihmë në rajon, në të njëjtën kohë, i bëjmë thirrje të gjithë atyre që mbajnë përgjegjësi për fatin e popujve të thellojnë impenjimin e tyre për komunitetet që vuajnë, dhe t’u mundësojnë atyre, duke përfshirë edhe të krishterët, që të qëndrojnë në tokën e tyre amtare. Nuk mund të pranojmë një Lindje të Mesme pa të krishterë, të cilët e kanë shpallur emrin e Jisuit atje për dy mijë vjet. Shumë nga vëllezërit dhe motrat tona janë duke u persekutuar dhe janë dëbuar me dhunë nga shtëpitë e tyre. Duket sikur edhe jeta njerëzore ka humbur vlerën, që personi njerëzor nuk ka më rendësi dhe mund të sakrifikohet për interesa të tjera. Dhe, më tragjikja, e gjithë kjo has në indiferencën e shumicës së njerëzve. Si na kujton Shën Pavli: “Edhe në qoftë se një pjesë vuan, gjithë pjesët vuajnë bashkë me të; ose në qoftë se nderohet një pjesë, të gjitha pjesët gëzohen bashkë me të” (1Korinth. 12:26). Ky është ligji i jetës së krishterë, dhe në këtë kuptim mund të themi se ka edhe një ekumenizëm te vuajtjes. Ashtu si gjaku i martirëve ishte një farë e fuqisë dhe zhvillimit të Kishës, edhe ndarja e vuajtjeve të përditshme mund të bëhet një instrument efektiv i unitetit. Gjendja e tmerrshme e të Krishterëve dhe të gjithë atyre që janë duke vuajtur në Lindjen e Mesme thërret jo vetëm për lutjen tonë të vazhdueshme, por edhe për reagimin e duhur nga ana e bashkësisë ndërkombëtare.
 
   Sfidat serioze me të cilat ballafaqohet bota në gjendjen e tanishme kërkojnë solidaritetin e të gjithë njerëzve me vullnet të mirë, dhe për këtë arsye, ne njohim rëndësinë e promovimit të një dialogu konstruktiv me Islamin, të bazuar në respektin dhe miqësinë e ndërsjellë. Të frymëzuar nga vlerat e përbashkëta dhe të forcuar nga ndjenjat e vërteta vëllazërore, myslimanët dhe të krishterët janë të thirrur të punojnë së bashku për hir të drejtësisë, paqes dhe respektit për dinjitetin dhe të drejtat e çdo personi, veçanërisht në ato rajone ku ata kanë jetuar për shekuj në bashkëjetesë paqësore dhe tani tragjikisht vuajnë së bashku tmerret e luftës. Për më tepër, si udhëheqës të krishterë, ne iu bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve fetarë për të ndjekur dhe për të forcuar dialogun ndërfetar dhe për të bërë çdo përpjekje për të ndërtuar një kulturë të paqes dhe solidaritetit midis njerëzve dhe popujve.Ne gjithashtu kujtojmë të gjithë popujt që provojnë vuajtjet e luftës. Në veçanti, lutemi për paqe në Ukrainë, një vend me traditë të lashtë të krishterë, ndërsa iu bëjmë thirrje të gjitha palëve të përfshira që të ndjekin rrugën e dialogut dhe të respektimit të të drejtës ndërkombëtare, në mënyrë që të arrihet përfundimi i konfliktit dhe t’u mundësojë të gjithë ukrainasve të jetojnë në harmoni.
 
   Mendimet tona shkojnë tek të gjithë besimtarët e kishave tona në të gjithë botën, të cilët i përshëndesim, duke ia besuar Krishtit, Shpëtimtarit tonë, që të jenë dëshmitarë të palodhur të dashurisë së Perëndisë. Ngremë lutjen tonë të zjarrtë, që Perëndia të na japë dhuratën e paqes në dashuri dhe unitet për të gjithë familjen njerëzore.
 
   “Edhe vetë Zoti i paqes, ju dhëntë juve paqen kurdo me çdo mënyrë. Zoti qoftë me ju të gjithë” (2Thes 3:16). 
 
Nga Fanari, 30 nëntor 2014
 
 
 
 
 

Author: admin