Shqipëria: një shembull i bashkëjetesës ndërfetare në Europë

– Konferencë në Milano, Itali, e zhvilluar në kuadrin e EXPO 2015 –
    Shembulli dhe vlerat e bashkëjetesës shembullore në vendin tonë po vlerësohen e promovohen gjithnjë edhe më tepër edhe në veprimtari jashtë Shqipërisë. Një aktivitet i tillë ishte edhe ai që u mbajt më 2 korrik 2015, në Milano të Italisë, në Pallatin e Medias (Circolodella stampa), me pjesëmarrjen e një publiku të gjerë dhe të përfaqësuesve të të gjithë komuniteteve fetare të vendit tonë. Tema e konferencës ishte “Shqipëria: një shembull i bashkëjetesës ndërfetare në Europë”.
    Konferenca u organizua nga “Dialog Milano”, mbështetur nga disa institucione të tjera dhe u mbajt në kuadër të një prej ekspozitave më të mëdha në botë, EXPO 2015, e cila zhvillohet po në Milano. Konferenca u moderua nga z. Alberto Quattrucci dhe u përshëndet edhe nga konsullja e Shqipërisë në Milano.
    Në emër të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë foli Episkopi i Krujës, Hirësia e Tij Andoni, i cili bëri një retrospektivë të shkurtër historike të kushteve dhe faktorëve të ndryshëm që kanë ndikuar në kulturën dhe psikologjinë shqiptare në kultivimin e ndjenjës së tolerancës dhe harmonisë ndërfetare në vend. Këto vlera tek shqiptarët janë vënë re dhe vlerësuar nga vizitorë dhe historianë të ndryshëm ndër shekuj, të cilët me simpati kanë shprehur habinë dhe admirimin e tyre për mënyrën se si shqiptarët kanë ditur të ruajnë ekuilibrat e bashkëjetesës paqësore, me gjithë situatat e vështira ose rastet e veçuara të konstatuara.
    Ndër të tjera ai përmendi rolin pozitiv dhe konstruktiv që kanë dhënë drejtuesit e Komuniteteve Fetare historikisht, por dhe gjatë viteve të vështira të rindërtimit të institucioneve fetare, ku të gjithë u gjendën në kushte tepër të vështira. Inisiativa të ndryshme bashkëpunimi gjatë këtyre viteve të shkëmbimit të vizitave, aktiviteteve të përbashkëta etj., kanë forcuar edhe më tepër marrëdhëniet e mira ndërfetare mes komuniteteve fetare në vend.
    Gjithashtu ai u ndal edhe në sfidat që i duhet të përballen komunitetet fetare në Shqipëri, si edhe shoqëria shqiptare në përgjithësi, me fenomenet e reja dhe të padëgjuara më parë, si ai i terrorizmit fetar dhe i pjesëmarrjes së shqiptarëve në këto konflikte. Gjithashtu, ai trajtoi edhe probleme të qenësishme për komunitetet fetare, si ai i kthimit dhe kompensimit të pronave, që edhe pas 25 vitesh nuk ka gjetur ende zgjidhje, çështje kjo e lidhur ngushtë me pavarësinë ekonomike të komuniteteve fetare si dhe të ruajtjes së integritetit të tyre dhe njëkohësisht të domosdoshme për përmbushjen e misionit të tyre fetar dhe humanitar.
    Një shqetësim, shtoi ai, mbetet ende kthimi i kishave në pronësi të Kishës Orthodhokse që janë monumente kulture, duke shmangur në këtë mënyrë një padrejtësi, por edhe raste të abuzimit ose keqpërdorimit të tyre. Në përfundim, ai u ndal në vlerën e bashkëjetesës fetare, si një kusht i përjetimit fetar, ku respekti për tjetrin është një ndër urdhërimet dhe parimet bazë të krishterimit.
    Kumtesa mbajtën edhe përfaqësues të komuniteteve të tjera fetare të vendit tonë, të cilët kanë folur për vlerat e harmonisë ndërfetare te shqiptarët.

Author: admin