Kisha e Dhërmiut, jashtë listës së monumenteve më 1967

Botuar te gazeta “Shqiptare”, 3 shtator 2015
     Pas një periudhe jo të shkurtër heshtjeje, z. Artan Shkreli, këshilltar i Kryeministrit për çështjet e kulturës, reagoi me një përgjigje sa profesionale, aq edhe nacional-oratorike, ndaj kritikave që u bënë në mjetet e informimit publik për prishjen e tempullit të Shën Athanasit në Dhërmi. Me çështjet polemizuese dhe ngjyrimet nacionaliste, nuk do të merremi, pasi mendojmë se e çojnë ujin në mullirin e gabuar dhe shmangim vëmendjen nga problemi real.
    Shembja e një ndërtese, e cila nuk gëzon aspak hire estetike për sytë e një pjese të shqiptarëve, përfshi dhe kreun e Ekzekutivit, por e shenjtë për sytë e të tjerëve, qoftë në aspektin religjioz, qoftë lidhur me të drejtat e shenjta të njeriut, solli tollovi në shkrimet dhe mendjet e jo pak shqiptarëve.
    Shpërfolja që jep Qeveria, si në nivel qendror, ashtu dhe në atë lokal, mbështetet fort në statusin “Monument Kulture” që paskërka pasur tempulli i Shën Athanasit. Kjo rezultoi e pavërtetë pa vënë aspak mund: mjafton të shikohet lista e monumenteve të kulturës së Qarkut Vlorë (ende sipas ndarjes së vjetër administrative), për të konstatuar se nuk përmendet askund ndonjë kishë e ndonjë Shën Athanasi, aq më pak në Dhërmi.
    Për statusin “monument” të kishës
së Shën Athanasit, z. Shkreli (në një artikull të dt. 01.09.2015 në “Gazeta Shqiptare”) argumenton: “Ajo është shpallur e tillë me Vendim nr. 6, datë 15.01.1963, mbështetur në VKM nr. 130, dt. 09.04.1955, në bazë të të cilit Kisha e Shën Thanasit, me nr. rendor 24 në listën përkatëse të monumenteve, ‘vihet në mbrojtjen e shtetit duke marrë parasysh vlerën historike, shkencore dhe artistike…’”. Në Fletoren Zyrtare të atij viti konstatuam se informacioni ishte i vërtetë. Na u duk e çuditshme, ndërkohë, mosprania e këtij monumenti në listën aktuale.
    Lidhur me këtë, z. Shkreli thotë: “Kështu, edhe pas rrënimit të mureve [të tempullit të Shën Athanasit], nuk doli asnjë akt ministror apo qeveritar që ta hiqte kishën nga lista e monumenteve dhe fakti që në listat e përditësuara ajo nuk rezulton, nuk ka të bëjë me statusin e rrënojave të saj dhe të truallit, por me praninë fizike aktuale. Objektivisht vendi, themelet, gurët e varret e saj janë ende aty…”. Por fraza që na nxiti të shkruajmë këto radhë vjen më poshtë: “Fakti që kisha e vjetër nuk është më mbi kuotën e truallit, për rastin e një monumenti kulturor nuk do të thotë asgjë […]”?!? Domethënë, edhe kemi, edhe s’kemi monument, edhe kemi, edhe s’kemi kishë…. Është lapsus i autorit, apo i ligjeve të shqiptarëve?
    Për të sqaruar habinë kërkuam gjurmët e tempullit në periudhën ndërmjetëse mes shpalljes “monument” dhe vitit të shkatërrimit të saj. Në vitin 1967, vitin kur lufta e famshme kundër zakoneve prapanike arriti kulmin (luftë në të cilën, madje, pati marrë pjesë edhe ndonjëri që sot ngrihet në mbrojtje të identitetit katolik të tempullit të Shën Athanasit dhe të shenjtërisë së atë Nilo Catalano-s), ministri i Arsimit dhe i Kulturës së asaj kohe, Thoma Deliana, i dërgonte Komitetit Qendror të Partisë një “Relacion mbi shkurtimin e numrit të Monumenteve fetare”.
    Ky relacion (AQSh, Fondi 490, Dosja 515, f. 1-11), lehtësisht i gjetshëm edhe në indeksin e dokumenteve të portalit cod.al, daton më 17.10.1967 dhe i paraqet KQP arsyetimin se numri aktual i objekteve të kultit që janë monumente kulture arrin në 294 (nga totali prej 1536), të cilat i përkisnin Kishës Ortodokse, Kishës Katolike, Komunitetit Mysliman dhe Komunitetit Bektashi. Meqenëse numri i këtyre monumenteve ishte shumë i madh, një komision i posaçëm shqyrtoi edhe një herë monumentet, duke zvogëluar me 70% numrin e tyre. Monumentet duhej të kishin një moshë të konsiderueshme, duhej të paraqisnin vlera të përveçme pamore dhe arkitekturore, në mënyrë që të mbeteshin në listë.
    Ato monumente që përjashtoheshin nga statusi “monument kulture” dhe, automatikisht, nuk mbroheshin më nga shteti, do t’u jepeshin Komiteteve Ekzekutive të rretheve, në mënyrë që t’i përdorin sipas nevojave. Para kësaj faze do të kryhej përpilimi i dokumentacionit përkatës për çdo monument, duke e shtyrë çastin e dorëzimit për muajin e tretë të vitit pasardhës (1968). Ndërkohë, mes monumenteve që përjashtoheshin nga lista e ruajtjes, ishin disa të cilat nuk kishin nevojë të pajiseshin me dokumentacion. Në fund të listës, nën zërin “Rrethi i Vlorës”, me numër rendor 4, lista përcakton: “Kisha e Sh. Thanasit – Dhërmi”.
    Në listën e Monumenteve të Kulturës të vitit 1969 tempulli i Shën Athanasit mungon edhe nga lista e monumenteve të mbrojtura, edhe nga ajo e të pa mbrojturave (AQSh, Fondi 511, Dosja 66, f. 1-46, 57-65), çka do të thotë se i ishte kthyer KQ të rrethit që më 1967-’68. Për këtë arsye mungon edhe nga listat e sotshme. Pra, ekziston një akt ministror që e heq kishën nga lista e monumenteve. Tempulli është shkatërruar pasi është përjashtuar nga lista e monumenteve të mbrojtura. Duhet theksuar kjo gjë pasi, tregon, brenda relativitetit të vet, se shteti i komunistëve respektoi, aq sa mund të quhet “respekt”, ligjet e veta.
    Shohim, fatkeqësisht, se gënjeshtra dhe gjakimi për të mbuluar të vërtetën ka arritur shumë lart…. Mirëpo, përpos kësaj, përse gjithë ky kujdes e mund për ta përcaktuar tempullin e Shën Athanasit si “monument kulture”? 1. Sepse një status i tillë i jep të drejtën pushtetit qendror dhe vendor të ndërhyjë për rindërtimin e tempullit, edhe kur monumenti ndodhet në pronë private. 2.
    Por qeveria kërkon të arrijë edhe një qëllim tjetër: të bindë gjithë shqiptarët, ashtu siç rreket rrëmbaj-këmbaj z. Shkreli të bindë publicistin, z. Fatos Lubonja, se Himara ka një identitet unik kombëtar e kulturor, i cili, i nënkuptuar, por jo i thënë qartë nga z. Shkreli, është vetëm shqiptar. Teksa lexoja këto, më kujtohej dyshtetësia e kryetarit të Bashkisë së Himarës….
    Rindërtimi i kujtesës dhe i historisë nuk mund të mbruhet me arbitraritetin që po derdhet në themelet e tempullit qeveritar të Shën Athanasit, as me teoritë neo-patriotike që evokojnë nacionalizëm arrogant. Që nesër të mos turpërohen autorët e këtij themelimi të çuditshëm, të denjë për legjenda, por as pasardhësit tanë ndër breza të mos na kritikojnë për këto çudira me brirë, nevojitet urgjentisht një ndërhyrje e ligjshme.
    Po nuk ndërhyri Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë, duke ushtruar të drejtën mbi atë që duket se i takon, atëherë, të paktën, të ndërhyjnë institucionet kompetente për të shpallur, edhe një herë, “monument kulture” truallin dhe rrënojat e tempullit të Shën Athanasit, në mënyrë që formalisht punët të vihen në vijë, dhe e nesërmja të mos na shohë me përbuzje.
Nga: Sokol Çunga, Studiues
Titulli në origjinal: “Kritikë kritikave të një kritizeri të pasinqertë”.

Author: admin