10-vjetori i krijimit të Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar në Elbasan!

Më datën 26 nëntor 2015, në mjediset e Hotel “Skampa” të Elbasanit, u përkujtua 10-vjetori i krijimit të Qendrës së Bashkëpunimit Ndërfetar në këtë qytet. Ky eveniment mblodhi përfaqësuesit më të lartë të pushtetit lokal, Kryetarin e Bashkisë Z. Qazim Sejdini, Prefektin e Qarkut, Z. Arben Kamami, Kryetarin e Këshillit të Qarkut, Z. Bukurosh Stafa, si edhe të ftuar të tjerë, Nuncin Apostolik, Mons.Romiro Ingles, Kryetarin e Komitetit të Kulteve, Z. Ilir Dizdari, klerikë nga të gjitha komunitetet fetare të Elbasanit dhe shumë besimtarë. Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë u përfaqësua nga Episkopi i Krujës, Hirësia e Tij Andoni.
Profesori i Universitetit të Elbasanit, Z. Roland Gjini, historian, bëri një përmbledhje të detajuar të bashkëjetesës fetare në trevën e Elbasanit ndër shekuj, duke sjellë shembuj interesantë edhe nga studiues të huaj, si Georg Hahn, Margaret Hazllëk etj. Ai e vuri theksin në traditën e të qenit bashkë të shqiptarëve në shekuj pa dallim feje. Koordinatori i Komitetit Ndërfetar, Z. Sokol Lulgjuraj, foli për punën e bërë gjatë këtyre 10 viteve, si dhe u ndal në sfidat e detyrat që i dalin këtij komiteti në të ardhmen. Përfaqësuesi i komunitetit Katolik, Don Emilio Valente, foli për rëndësinë e “Nderimin e Marisë në Kuran”, si urë e fortë lidhëse ndërmjet Islamit dhe Krishterimit. Nga komuniteti mysliman referoi teologu Ergys Muzhaqi i cili foli për mësimet dhe urat lidhëse të përbashkëta drejt bashkëpunimit ndërfetar.
Në takim foli edhe Hirësi Andoni, i cili shtjelloi temën “Vlerat e përbashkëta që na nxisin në bashkëpunim”. Ai, pasi bëri një retrospektivë të shkurtër historike mbi faktorët që ndikuan në formimin e pluralizmit fetar në vend, u ndal në frymën pozitive që ka ekzistuar ndërmjet komuniteteve fetare, si dhe të vazhdimësisë së saj edhe sot në bashkëpunimin ndërfetar, si domosdoshmëri e proceseve dhe nevojave të kohës. Gjithashtu, Episkopi i Krujës ngriti shqetësimet që ende kanë Komunitetet Fetare në lidhje me kthimin dhe kompensimin e pronave, si dhe të rasteve kur organet shtetërore nuk kanë vepruar me kujdesin dhe përgjegjshmërinë që kërkohet në lidhje me disa objekte kulti orthodhokse.
Përfaqësuesi i Komuniteti Bektashian Baba Ardit Selmani, i mëshoi fort vlerës së bashkëpunimit ndërfetar. Ai theksoi fuqishëm se fetë tona kanë gjithçka që na bashkon e asgjë që na ndan. Konferenca u mbyll me përshëndetjen e Kryetarit të Këshillit të Myftinisë Elbasan, z. Arben Ramkaj, i cili falënderoi të gjithë përfaqësuesit dhe duke përfituar nga rasti uroi edhe për festat e Pavarësisë dhe të Çlirimit të vendit.
Përgatiti: Atë Stavri Çipi

Author: admin