MESAZHI I KRISHTLINDJES MITROPOLITI I KORÇES JOANI- Krishtlindje 2019

Δεν υπάρχει διαθέσιμη περιγραφή για τη φωτογραφία.

DASHURIA E PERSOSUR E NXJERR JASHTE FRIKEN (I JO.4;18).

I
Krishtlindja është një kremtim që çdo vit ripërtërin tek ne shpresën dhe na jep forcë e kurajo për t’u përballur me vështirësitë e kësaj bote. Ajo na kujton vazhdimisht praninë e Perëndisë dhe të dashurisë së Tij të pafundme për ne, prani, e cila e largon frikën dhe dëshpërimin nga jeta jonë. Madje lajmërimi për Lindjen e Krishtit fillon pikërisht me fjalët: Mos kini frikë. Me fjalët: ‘Mos ki frikë, Maria’, Kryeengjëlli Gabriel jep lajmin e mirë për Lindjen e Shpëtimtarit (Lk.1:30). Të njëjtat fjalë: ‘Mos kini frikë – u thotë gjithashtu Engjëlli i Zotit barinjve – sepse ja tek po ju jap juve lajmin e mirë për një gëzim të madh, që do të jetë për gjithë popullin. Sepse sot ju lindi juve në qytetin e Davidit një shpëtimtar, i cili është Zoti Krisht’ (Lk.2:10-11).
Pa dyshim, në këtë jetë ne përballemi me vështirësi të shumta, qofshin ekonomike apo shpirtërore. Tragjedi të ndryshme si zjarret, përmbytjet dhe tërmetet me pasoja shkatërrimtare, si edhe fatkeqësi të tjera, krijojnë dhimbje dhe vuajtje, duke shkaktuar frikë dhe dëshpërim.
Por lajmi i mirë i Lindjes së Krishtit na siguron se tashmë nuk jemi vetëm, Perëndia është bashkë me ne (Mt. 2:22). Ai lindi të shenjtërojë çdo aspekt të ekzistencës njerëzore. Ai lindi për të na shpëtuar nga e keqja, për të sjellë shpresë dhe dritë në frikën dhe në errësirën e jetës sonë. Le të kemi pra kurajo dhe le të mos mposhtemi nga frika, duke u mbështetur në besimin se Perëndia është dhe do të jetë gjithmonë pranë nesh. Premtimi i Tij se nuk do t’ju lë jetimë, do të vij tek ju (Jn.14:18), na jep forcë dhe ngushëllim, sepse Perëndia s’na ka dhënë frymë frike, po fuqie edhe dashurie e urtësie (2 Tim. 1:7).
II
Në Jisu Krishtin dhe në shërimin që vjen nëpërmjet Tij, janë të thirrur të gjithë njerëzit, pa përjashtim, kushdo qofshin ata. Ne jemi thirrur të marrim pjesë në këtë ngjarje, duke festuar jo vetëm nga jashtë, me dritat, zbukurimet dhe tryezat, por kryesisht duke e përjetuar thellë atë dhe duke e bërë pjesë të jetës sonë. Madje festimi nga jashtë është thjesht një shprehje e dukshme e festimit shpirtëror të brendshëm. Rreziku dhe kurthi më i madh i kohëve moderne është festimi i Krishtlindjes pa Krishtin. Nuk mund të ketë Krishtlindje pa Krishtin! Sipas mësimit të Etërve të Kishës vetëm zbulimi i kuptimit të vërtetë të Krishtlindjes dhe përjetimi i saj në jetën tonë mund të na çlirojë nga shqetësimet dhe hidhërimet, duke na dhënë një jetë të re pa dhimbje e pa mbarim.
‘Jisu Krishti, – shkruan Shën Maksim Konfesori – i cili lindi në mish për ne njëherë e përgjithmonë, dëshiron të lindë përsëri në frymë në ata që e dëshirojnë. Në secilin prej nesh, Ai bëhet përsëri një fëmijë në mitrën e shpirtit tonë dhe e formon veten prej virtyteve’. Tek të gjithë ne mund të lindë pyetja: si duhet të jetojmë që Krishti të formohet tek ne (Gal. 4:19)? Në Dhiatën e Vjetër ne mësojmë se njeriu u krijua sipas ikonës dhe ngjashmërisë së Perëndisë (Gen.1:26). Zoti e mori natyrën tonë të rënë për ta ringritur atë. Ai erdhi në këtë botë për të bashkuar natyrën hyjnore me atë njerëzore, që njeriu të mund të bëhej i ngjashëm me Perëndinë.
III
Bëhuni të përsosur, siç është i përsosur Ati juaj që është në qiejt – na thotë Zoti (Mt. 5:48). Duke komentuar këtë Shën Vasili i Madh shkruan: ‘E shikoni sesi Zoti e restauron tek ne atë që është sipas ngjashmërisë? Nëse ju e urreni të keqen dhe çliroheni nga smira dhe mllefet, duke mos kujtuar armiqësitë e shkuara; nëse ju bëheni një vëlladashës dhe zemërdhembshur, ju jeni bërë të ngjashëm me Zotin. Nëse ju falni armiqtë tuaj me gjithë zemër, ju jeni bërë të ngjashëm me Zotin’. Vetëm në një zemër të mbushur me dashuri dhe dhembshuri, në një zemër plot virtyte dhe mirësi është formuar dhe ka lindur me të vërtetë Krishti.
Të dashur vëllezër dhe motra. Le të ndezim në shpirtrat dhe zemrat tona dritën e dashurisë së Krishtit, dritë e cila do të na ndriçojë dhe do të largojë prej nesh errësirën. Le ta përhapim këtë dashuri tek të gjithë njerëzit, sidomos tek ata që janë në nevojë dhe tek ata që janë të vetmuar, të dëshpëruar dhe të frikësuar. Sot më shumë se kurrë njerëzit kanë nevojë për dashurinë e Krishtit, sepse vetëm dashuria e përsosur e largon frikën dhe na jep siguri, paqe e gëzim.

Gëzuar Krishtlindjet dhe për shumë vjet!

Mitropoliti i Korçës,
Pogradecit, Kolonjës, Devollit dhe Voskopojës
+ Joani

 

Author: Admin2