MBROJTJA E NËNËS SË PERËNDISË

MBROJTJA E NËNËS SË PERËNDISË

Në manastirin e Ivironit, në malin e shenjtë, është një ikonë mrekullibërëse e Nënës së Perëndisë e quajtur Portaitisa (që qëndron mbi portë, ose ruajtëse e portës). Kjo ikonë ishte fshehur dhe ruajtur nga një grua shpresëtare gjatë periudhës ikonoklaste. Me vonë, në një mënyrë të mrekullueshme, ajo u gjend në një manastir gjeorgjian në Malin e shenjtë. Murgjërit fillimisht e vendosën ikonën në një nga dyert hyrëse të kishës, ku i bënë edhe nderimet e para dhe më pas e vendosën brenda në kishë, por ajo u zhvendos vetë sipër portës së kishës. Kjo ndodhi disa herë, derisa Virgjëresha iu shfaq në një endërr murgut Gabriel dhe i tha: “Thuaj vëllezërve se nga sot të mos më heqin nga vendi ku kam zgjedhur të rri. Sepse unë nuk dua të mbrohem nga ju, por unë do t’iu mbroj ju, si në këtë jetë ashtu edhe në atë që do të vijë. Përsa kohë do të shihni ikonën time në manastir, hiri dhe mëshira e Birit tim kurrë nuk do t’iu mungojë.”
Prandaj është bërë një traditë në manastiret në të gjithë botën të mbajnë mbi portat, si një mbrojtje, një ikonë të Nënës së Perëndisë.
Gjithmonë, kur të krishterët kanë qenë në vështirësi dhe kanë pasur nevojë për ndihmë dhe për shpresë, ata i janë drejtuar Virgjëreshës Mari, Nënës së Perëndisë, për të ndërmjetuar tek Biri i saj. Hyjlindësja e Tërëshenjtë, si një nënë zemërdhëmbshur, ka qenë e shpejtë për të ndërmjetuar dhe për t’i ndihmuar të gjithë ata që i luten me besë.
Le t’i lutemi, pra me lot e me besë Hyjlindëses së Tërëshenjtë, për të na ndihmuar në këtë kohë të vështirë dhe për të na shpëtuar nga kërcënimi i virusit të rrezikshëm me të cilin po përballet në këtë kohë e gjithë bota.

Fotografia e Mitropolia e Shenjtë Korçë

Author: Admin1