Mesazh me rastin e Krishtlindjes! Mitropoliti i Korçës Hirësia e Tij +imzot Joani!

 

Krishlindje 2022

Bëni gati udhën e Zotit; bëni rrugët e tij të drejta (Math. 3:3).

I

Me këto fjalë të profetit Isaia përshkruhet misioni i Shën Joan Pagëzorit në përgatitjen e popullit për ardhjen e Mesias, sepse takimi me Zotin kërkon një përgatitje të devotshme. Ai e filloi misionin e tij të përgatitjes duke e nxitur popullin të largohej nga e rrugët e shtrembëra, nëpërmjet pendimit, duke u thënë të pasurve të ndajnë pasurinë e tyre me të varfërit, pushtetarëve dhe ushtarëve të mos abuzonin me pushtetin e tyre, taksambledhësve të ndalonin vjedhjen e njerëzve dhe kritikoi imoralitetin e familjes mbretërore.

Mesazhi i Shën Joanit për përgatitjen ishte dhe mbetet i rëndësishëm në çdo kohë. Për të pritur ardhjen e Mesias, për të bërë gati udhën e Zotit dhe rrugët e tij të drejta, ne na duhet të largohemi nga çdo zakon i shtrembër, na duhet të pastrojmë zemrën nga çdo ligësi, urrejtje dhe egoizëm dhe ta mbushim atë me dashuri dhe dhembshuri, për të ndihmuar të gjithë njerëzit në nevojë, sepse dashuria e vërtetë nuk mund të jetë indiferente ndaj vështirësive të të tjerëve. Besimi pa vepra është i vdekur shkruan Shën Jakovi (Jk.2:17). Na duhet të jemi të përulur dhe të largohemi nga çdo arrogancë dhe krenari që mund të japë pasuria dhe pushteti, sepse Vetë Zoti erdhi dhe jetoi në këtë botë si varfër dhe i përulur.

Në urtësinë e saj, Kisha na përgatit për të pritur Lindjen në trup të Mesias, Krishtit, Perëndisë dhe Zotit tonë, me anë të Kreshmës së gjatë para Krishtlindjes. Përgatitemi para një feste, sepse pa u përgatitur ne nuk mund ta kuptojmë dhe nuk mund ta përjetojmë atë thellësisht. Duhet të kujtojmë gjithmonë shëmbëlltyrën e dhjetë virgjëreshave: vetëm ato të mençurat, që ishin të përgatitura dhe i kishin llambat gati, hynë brenda në Mbretërinë e Perëndisë (Mt.25:6). Përgatitja na jep mundësinë të meditojmë dhe të përqendrohemi seriozisht për shpëtimin tonë dhe na ndihmon, nëpërmjet përpjekjeve shpirtërore, për të hapur mendjet dhe zemrat tonë në të vërtetën themelore se përse ne kemi nevojë për Perëndinë e mishëruar, i cili bashkon në Veten e tij Hyjninë dhe njeriun.

II

Lindja e Krishtit, kjo festë e madhe, nuk ka të bëjë me lindjen e një mësuesi ose ligjdhënësi, por në lindjen në trup të Zotit dhe Shpëtimtarit tonë Jisu Krisht. Ky Zot i natyrave – na mëson Shën Efrem Siriani – sot u transformua në kundërshtim me natyrën e Tij; nuk është shumë e vështirë për ne që të përmbysim edhe vullnetin tonë të mbrapshtë. Nëpërmjet mishërimit të Tij, duke marrë natyrën tonë dhe duke u bërë njeri, Zoti hyri në thelbin e ekzistencës së njeriut, duke e ndriçuar dhe duke e restauruar natyrën tonë të rënë dhe të errësuar. Prandaj, kjo ngjarje i prek të gjithë njerëzit, pa përjashtim, kushdo qofshin ata, sepse ajo përfshin çdo qenie njerëzore. Mishërimi i Perëndi-Njeriut e bëri të mundur përmbushjen e vërtetë të ekzistencës sonë, nëpërmjet besimit dhe rritjes në shenjtëri, duke transmetuar në jetën tonë praninë shëruese të hirit të Tij, i cili na jep fuqinë për të ndryshuar dhe për të kaluar nga errësira në dritë.

Krishtlindja është dhurata më e mrekullueshme që Perëndia Atë i ka bërë njerëzve. Por, si çdo dhuratë, për ta pasur dhe gëzuar atë, duhet më parë ta pranojmë. Prandaj Krishtlindja mbetet gjithmonë një thirrje dhe një ftesë për të pranuar Krishtin në zemrat tona dhe në jetën tonë. Ajo që kërkohet nga ne është përgjigjja pozitive ndaj thirrjes, sepse nuk do të mundemi dot ta presim Zotin në Krishtlindje, nëse nuk i përgjigjemi ftesës së Tij. Vetë Zoti është i vetëmjaftueshëm, por Ai e dëshiron shpëtimin tonë dhe na thërret dhe na fton vazhdimisht, sepse Ai na do, na ndihmon dhe kujdeset për ne, jo sepse ne e meritojmë, por sepse Ai është zemërdhembshur dhe i mëshirshëm. Misteri i Mishërimit është një mister i dashurisë hyjnore, të identifikimit hyjnor me njeriun e humbur.

Të dashur vëllezër dhe motra. Në këtë ditë të shenjtë dhe të gëzuar të Lindjes trupërisht të Zotit, le ta falënderojmë Perëndinë për këtë dhuratë dhe le ti përgjigjemi ftesës bujare të Tij me mirënjohje dhe me përulësi, duke bërë gati udhën e Zotit dhe të drejta rrugët e Tij, sepse vetëm në këtë mënyrë Ai do të jetë i pranishëm në jetën tonë dhe prania e Tij do ta ndriçojë atë, duke i dhënë asaj paqe, shpresë dhe gëzim.

Gëzuar Krishtlindjet dhe për shumë vjet!

Mitropoliti i Korçës, Pogradecit,

Kolonjës, Devollit dhe Voskopojës

+Joani

 

Author: Admin2